Këshilltarët e djathtë refuzojnë konstituimin e Bashkisë Krujë

Shqipëria

Këshilltarët e djathtë refuzojnë konstituimin e Bashkisë Krujë

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 13:57

Këshilltarët demokratë të Bashkisë së Krujës refuzuan konstituimin e kësaj bashkie, me arsyetimin e nuk janë përmbushur kërkesat ligjore.

Në një deklaratë për mediat, këshilltarët e djathtë pretendojnë se nuk janë njoftuar në mënyrë zyrtare për mbledhjen e parë.

Në shenjë proteste, ata bojkotuan mbledhjen e parë të bashkisë, ndërsa shprehen se janë të vendosur për në betejën kundër dekriminalizimit të politikës.

Deklarata e plotë

Në një akt të pashembullt arrogance dhe papërgjegjshmërie institucionale, pa përmbushur kërkesat ligjore për njoftimin zyrtar të mbledhjes së parë, është thirrur për konstituim Këshilli Bashkiak i Bashkisë Krujë.

Në shenjë proteste, sensibilizimi dhe përgjegjshmërie qytetare e institucionale ndaj këtij akti të kundërligjshëm, ne, këshilltarët e opozitës, kemi vendosur të refuzojnë këtë praktikë fyese, e cila i shtohet poshtërimit që iu bë qytetarëve me kandidimin e një individi me rekorde kriminale, të denoncuar publikisht nga mediat ndërkombëtare dhe partnerët më të rëndësishëm euroatlantikë.

Në emër të qytetarëve të Bashkisë Krujë, të cilësive më të mira morale e qytetare që ata përfaqësojnë, shprehim vendosmërinë për të vazhduar betejën për dekriminalizimin dhe rikthimin e sovranitetit të popullit nëpërmjet paprekshmërisë së votës së lirë, larg blerjes së votës, tritolit dhe shantazheve të pushtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat