Ndoka: Krimi që s'kam bërë dhe pse më akuzon PD-ja

Shqipëria

Ndoka: Krimi që s'kam bërë dhe pse më akuzon PD-ja

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 10:05

Dy ditë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku theksohej se një deputet i Parlamentit të Shqipërisë ka qenë i përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, duke publikuar emrin e deputetit Arben Ndoka. Pas deklaratës së Berishës ka qenë i menjëhershëm reagimi i deputetit të PS-së, Ndoka, i cili ka sqaruar lidhjen e tij me këtë histori dhe me Partinë Demokratike. Deputeti i majtë sqaron pretendimin që ka hedhur në qarkullim opozita, duke thënë se me “atë vendimin e para 20 viteve është njohur në 2002-shin, fajin e bërë të së cilës thotë se e ka kryer në Shqipëri”. Në vijim të reagimit Ndoka ka sqaruar dhe rrugën e gjatë të tij si drejtor në disa drejtori gjatë kohës kur qeveriste Partia Demokratike dhe insistimin që e djathta ka bërë për ta pasur pjesë të saj.

Reagimi i plotë i Ndokës

Në respekt të opinionit publik dhe votuesve të mi dua të bëj disa sqarime. 20 vite më parë, ndaj meje ka nisur një proces gjykimi në Itali, në mungesën time, në mungesë të një avokati te autorizuar nga unë dhe pa dijeninë time, akuza të cilat nuk i kam pranuar dhe jam në një proces për rihapjen e gjykimit kundër tyre. Jam njohur me atë vendim në vitin 2002 dhe kam bërë transferimin e dosjes në Shqipëri, duke e shlyer dënimin e dhënë padrejtësisht në mungesën time. Për dijeni unë kam jetuar dhe punuar gjithmonë në Shqipëri dhe gjatë gjithë jetës sime kam vetëm dy qëndrime, njërin 6 muaj dhe tjetrin 7 muaj jashtë Shqipërisë.

Unë kam kryer një dënim për një faj që nuk e kam kryer dhe të ngarkuar në adresë time nga njerëz të tjerë, por shpresoj që procesi që po rihapet do ta pastrojë këtë histori aksidentale ndaj meje. Historinë time reale e njohin bashkëqytetarët e mi me të cilët kam jetuar kam punuar dhe jam votuar prej tyre. Duke filluar nga viti 1996 unë kam punuar në një kompani private në Lezhë, me pas kam shërbyer në Gardën e Republikës dhe pastaj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Ndërtimit. Ndërkohë kam pasur kompaninë time të përpunimit të duraluminit dhe të gjithë llojet e xhamit me të cilën kam punuar për vite me rradhë në të gjithë vendin.

Në kohën që Partia Demokratike ka qenë në pushtet pas vitit 2005, kam punuar në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar si Drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit, më pas kam punuar si Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit Teknik po në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Prej andej jam larguar me dorëheqjen time, për të kandiduar për deputet në listën e Partisë Socialiste në qarkun Lezhe. Para se të merrja këtë vendim, kam pasur oferta të hapura dhe të fshehta nga Partia Demokratike për të kandiduar në emër të tyre, por nuk i kam pranuar. Ata që mi kanë bërë, janë ende në politikë në PD, mundësisht në Parlament dhe mund të dëshmojnë.

Siç mund ta shihni, jeta ime është jeta e një njeriu të zakonshëm shqiptar që ka bërë biznes dhe karrierë në vendin e tij, në administratën e shtetit të tij, pavarësisht nga kahet politike. Jetëgjatësinë më të madhe në administratën shtetërore e kam pasur në kohën kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike. Ndryshe nga Lulëzim Basha dhe të tjerë rreth tij, unë kam bërë biznes, karrierë administrative dhe politike, për shkak të atyre pak apo shumë vlerave që mund të kem pasur dhe jo i katapultuar nga dikush tjetër për tu përdorur si kukull për qëllime politike.

Zoti Basha tenton të më bëjë pis duke më etiketuar trafikant i qenieve njerëzore, por nëse ekziston dikush në politikën shqiptare që është në krye të një partie vetëm se ka mikluar vajzën e shefit dhe e ka trafikuar këtë miklim në karrierë politike, është pikërisht Lulzim Basha. Zoti Basha tenton të më bëjë pis për shkak të bizneseve të mia të ndershme, por unë jam një ish-biznesmen që jam bërë politikan, ndërsa Lulzim Basha është një politikan që sillet si biznesmen. Ai nuk jep dot asnjë shpjegim se si është bërë milioner duke qenë politikan.

Unë mund të dokumentoj çdo qindarkë timen, se ku e kam fituar e si e kam fituar, ndërsa Basha nuk justifikon dot as milionat e marra si pajë në Holandë, dhe as miliardat e fituara si ministër i ndjekur penalisht si hajdut i 220 milionë eurove. Unë kam vuajtur një dënim të padrejtë që nuk më përket mua, ndërsa Basha ka përdorur pushtetin për tu mos u përballur kurrë me një gjykim i cili e akuzon atë për vjedhje të milionave tona, të cilin e ka bërë. Unë nuk i kam borxh askujt asnjë qindarkë dhe aq më pak shtetit tim, ndërsa Lulzim Basha është vrima e shpuar e çdo xhepi shqiptar, të cilit i ka vjedhur dhe qindarkat e fundit.

Unë nuk jam në gjak me askënd pasi nuk kam vrarë askënd në këtë vend, ndërsa Lulzim Basha është vrasës i padënuar i katër qytetarëve dhe si i tillë është në gjak me tetë fëmijë shqiptarë që po rriten duke e parë si vrasësin e babait të tyre. Unë nuk i lë Shqipërisë asnjë turp dhe asnjë borxh nëse iki nga politika dhe nga kjo jetë, ndërsa Lulzim Basha me disa pijanecë ordinerë i kanë lënë këtij vendit njollën e tradhtisë duke firmosur për shitjen e detit me Greqinë, vetëm për t'i mbrojtur krahët shefit të tij Sali Berisha.

Lulzim Basha nuk më bën dot pis duke përmendur një aksident të jetës sime, shkaktuar nga të tjerë, ndërsa ai vet është rrethuar me vetëdije nga element kriminalë të shoqërisë të cilët i kanë siguruar atij karrierën politike. Lulzim Basha u bë kryetar bashkie fal keqpërdorimit të një krimineli të dënuar nga gjykatat shqiptare, i quajtur Arben Ristani. Falë atij personi që ishte peng i drejtësisë, Basha u bë kryebashkiak dhe ia ktheu nderin duke marrë një njeri ordiner dhe duke e bërë deputet dhe numër dy të partisë së tij, që po shkon dita - ditës poshtë e më poshtë. Nuk di si mund të quhet e pastër partia e Lulzim Bashës, kur numri një i saj ka shmangur gjyqin me forcën e pushtetit, numri dy i saj është dënuar për hajdut, dhe deputetë të tjerë mbështetës të tij janë me precedentë penalë.

Çfarë mund të thotë Lulzim Basha për Alban Zenelin, i cili është dënuar me dy vjet burg nga të cilat ka bërë 7 muaj, pasi ka marrë zvarrë në mes të qytetit të Kukësit një grua me makinë. Çfarë mund të thotë për perversitetin e Genc Pollos, që nga milionat e arsimit e deri te jeta e tij private e mbushur me perversitet. Çfarë mund të thotë për Genc Strazimirin, i cili duke tentuar të vetëviktimizohet si kamikaz, kërkon të mbulojë jo vetëm problemet e tij psiqike, por dhe defiçencat e inferioritetin, që ka ndaj Sali Berishës, për shkak të spiunllëqeve që ka bërë kundër tij. Nuk dua të vazhdoj më gjatë, por duke u kthyer te raporti im me ju, e di mirë ku qëndron frymëzimi i gjithë kësaj fushate.

Ju u dëshpëruat, që unë nuk pranova të bëhem me koalicionin tuaj në vitin 2013, ndërsa isha dy herë drejtor i lartë në administratë në kohën qe ju ishit në pushtet. Ju ishit deri atëherë mbrojtësit e mi më të mëdhenj dhe avokatët e mi realë, pasi e dinit se dënimi im nuk ka lidhje me mua. Shumë miq të mi që janë ende deputetët tuaj e dëgjojnë kokëulur këtë akuzë, për të cilën kanë luftuar të më hiqet. E kuptoj se ju doni të më penalizoni pse u rreshtova kundër jush më 2103-ën. Por unë nuk kandidova në Lezhë, as si shok i vajzës shefit, dhe as si kukull e kryetarit, por si një qytetar që qyteti më njihte dhe nuk kisha kurrfarë droje të shikoja njerëzit në sy.

Më vjen ndot kur ju dëgjoj të flisni për vjedhje votash, kur ju vet në Kurbin në vitin 2013, keni futur më shumë fletë votimi se sa ishte numri i votuesve. Në disa qendra votimi janë gjetur 500 vota të PD-së dhe 7 vota të PS-së ndërkohë që 70 për qind e fshatit jetonin ne emigracion. Siç e provoi dhe ekspertiza. Të gjithë këto procesverbale ishin firmosur nga e njëjta dorë, nga i njëjti njeri. Ju ishit ata që tentuat të bënit masakrën në Komunën Blinisht të rrethit Lezhë. Gjashtë veta te pajisur me armë kallashnikov, tentuan të mbushin kutitë e votimit në momentin e mbylljes, para dhjetëra banorëve, por kjo u ndal nga mbështetës të PS-së dhe këtë nuk ma falni.

Më keni sjellë forca të shumta speciale përfshi dhe ato të RENEA-s javën e fundit të fushatës elektorale 2013 për të më vënë nën presion, duke më arrestuar mua dhe 20 vetë, ku shumica ishin familjarët e mi dhe keni moral të flisni për vjedhje votash. Me çfarë morali mund t'i qeverisni bashkitë të cilat i keni fituar pasi kryetarët e tyre të sapoemëruar, pasi kanë paguar qindra mijëra euro për të qenë kandidat? Ju jeni thjesht një parti e frustruar nga humbja që kërkoni të qetësoni veten dhe të mashtroni të tjerët për shkaqe imagjinare të humbjes. Mua nuk më lidh asgjë as me shpifjet tuaja, as me procesin e hapur në Itali në mungesë time, të cilin e kam përballuar me dinjitet.

Nga viti 1996 kur jam martuar, kam jetuar në Shqipëri. Kam qenë dhe vazhdoj të jem një familjar i rregullt dhe i përgjegjshëm. Mund të them më tepër se çdo deputet i PD-së në gjithë historinë e saj. Njëkohësisht një deputet i përgjegjshëm për detyrat e mia ndaj elektoratit dhe qarkut në të cilin jam votuar duke vënë në dispozicion gjithë vullnetin tim. E përsëris dhe njëherë se unë kam kandiduar në qarkun e Lezhës, dhe në vendlindjen time, aty ku për njerëzit nderi dhe dinjiteti është më i çmuar se karrigia e një deputeti.

Një njeri që ka kurajo të përballet me njerëzit që ka jetuar dhe është rritur, nuk mund të krahasohet me një emigrant të rikthyer në Shqipëri, për shkak të buzëqeshjeve të dhuruara, për ta bërë të ndjehet i bukur, vajza e shefit të tij që më pas t'i garantojë jo vetëm karrierën politike por dhe mbrojtjen ligjore për krimet e padënuara të tij. Nëse në këtë vend një ditë duhet të fillojë procesi i dekrimiminalizimit, duhet të nisë me ata që kanë mbyllur gjyqet pa u zhvilluar dhe jo me ata që kanë pësuar dënime dhe gjyqe pa bërë asgjë. Dhe në krye të kësaj liste je ti Lulzim Basha!

Berisha: Të gjithë e dinë, është Arben Ndoka

Ish-kryeminstri Sali Berisha nuk heziton të publikojë emrin e deputetit të dyshuar. Nëse DASH në raportin e tij dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha u rezervuan të publikonin emrin e deputetit, Berisha në deklaratën e parë të tij guxon të japë emrin e deputetit, që sipas tij që figuron në raportin e DASH. Ish-kryeministri në postimin e tij në rrjetet sociale ironizon me qeverinë, duke thënë se të gjithë e dinë se bëhet fjalë për Arben Ndokën dhe vetëm qeveria nuk di gjë. “Të gjithë e thonë, përveç qeverisë, se deputeti i dënuar për trafik prostitucioni në Itali është Arben Ndoka.

Pas raportit të DASH, Rama, të nesërmen, sikur të mos dinte shqip u deklaroi shqiptarëve nëpërmjet zëdhënëses së tij se raporti lavdëron qeverinë. Përveç kësaj ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, në reagim ndaj pranisë në Parlamentin e një vendi mik dhe aleat në NATO të një trafikanti qeniesh njerëzore, reagoi me një deklaratë të veçantë, ku ndër të tjera thuhet se “ambasada vlerëson si të turpshme që në Parlamentin shqiptar ka anëtarë me dënime për trafikimin e njerëzve”. Vetëm një kryeministër dhe një qeveri që, siç thotë fjala popullore han turpin me bukë apo që ka mburrje turpin dhe krimin e ka ortak, mund të bënte një reagim të tillë të pacipë”, shkruan ish kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat