Arrestohen 2 grabitësit e vilave të Ristanit dhe Nokës

Shqipëria

Arrestohen 2 grabitësit e vilave të Ristanit dhe Nokës

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 10:02

Arrestohen të dyshuarit si autorë të grabitjes së 4 vilave në Gjirin e Lalzit, mes tyre dhe banesat e deputetëve demokratë Flamur Noka dhe Arben Ristani. Policia e Durrësit ka arritur të identifikojë dhe të prangosë Arnold Karaj 19 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë dhe Donald Vatnikaj 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, si autorë të grabitjes në banesat e dy deputetëve të PD-së, specialistit të SHISH-it, Petrit Maho dhe atë të gazetarit Saimir Kodra. Burime nga uniformat blu të qytetit bregdetar pohojnë se, gjatë orëve të para të së hënës dy shtetasit e arrestuar, kanë qenë 3 ditë me pushime brenda kompleksit “Lura” te Gjirin i Lalzit dhe kanë grabitur banesën e numrit 2 të PD-së Arben Ristani, duke marrë shumën prej një mijë lekësh dhe një celular tip “Samsung”.

Në momentin e grabitjes, në katin e dytë të vilës kanë qenë bashkëshortja e Ristanit dhe kunata, ndërsa vjedhja është bërë në katin e parë. Hajdutët kanë kontrolluar të gjithë katin e parë, por nuk e kanë dëmtuar vilën nga brenda edhe pse sendet që kanë marrë ishin me vlerë minimale. Pre e vjedhjeve ka qenë edhe banesa e deputetit tjetër të PD-së, Flamur Noka, por nga banesa e tij grabitësit nuk kanë marrë gjë. Vjedhje është konstatuar edhe në 2 vila të tjera, konkretisht ndaj Saimir Kodrës, gazetar dhe Petrit Maho, efektiv i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Në banesën e Kodrës janë marrë 200.000 lekë dhe 1 telefon celularë i markës “Samsung”, ndërsa në vilën e Mahos janë grabitur 2 telefona celularë të markës “Vertu” dhe një telefon “iPhone 6” . Burime konfidenciale pohojnë se, është tentuar të grabitet edhe vila e kryeparlamentarit Meta në kompleksin privat të Gjirit të Lalzit, por hajdutët pasi nuk kanë mundur të hyjnë brenda ambienteve të banesës, kanë marrë vetëm një palë atlete që gjendeshin pranë portës kryesore. Policia e Durrësit është duke hetuar edhe për vjedhjen e mbetur në tentativë të vilës së Ilir Metës, por nuk ka dhënë detaje lidhur me ketë ngjarje.

Kamerat e sigurisë tradhëtojnë 2 grabitësit

Hajdutët kishin shkuar me “pushime”, 3 ditë përpara se të kryenin grabitjet e datës 27 korrik, në kompleksin privat të “Gjirit të Lalzit”. Sipas policisë së Durrësit, Arnold Karaj dhe Donald Vatnikaj, kishin menduar planin me detaje, ndërsa në momentin e arrestimit atyre iu gjeten një celular i markës “Samsung”, i cili dyshohet se është i vjedhur, një palë doreza, një motor, një kaçavidë dhe dy kapele që i mbanin për t’u mos u identifikuar. Të rinjtë nga Tirana, kishin përzgjedhur resortin privat “Lura”, në të cilin kanë vila personalitet më të njohur dhe më të pasur të vendit. Menjëherë pas konstatimit të vjedhjeve brenda resortit, uniformat blu sekuestruan të gjitha kamerat e sigurisë, duke bërë të mundur identifikim dhe arrestimin e dy të rinjve nga kryeqyteti.

Arrestimi nga policia për dy shtetasit Karaj dhe Vatnikaj, ka qenë i vështirë, pasi ata të gjitha grabitjet brenda resortit, i kanë kryer me kapele dhe doreza, duke mos lënë shenja gishtash në vendngjarje. Në komisariatin e policisë së Shijakut, ku dy të rinjtë mbahen të izoluar, janë pyetur nëse kanë pasur bashkëpunëtorë të tjerë, pasi në kamerat e sigurisë shfaqet edhe një person i tretë, i cili nuk është identifikuar ende nga policia. 2 të arrestuarit nuk kanë pranuar që të jenë ndihmuar nga një person i tretë, teksa nuk kanë bashkëpunuar me policinë për mënyrën se si i kryenin vjedhjet në vilat luksoze. Nga ana tjetër, janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre edhe personeli i rojeve private të “security”, sepse policia dyshon se, grabitësit kanë pasur bashkëpunëtorë nga brenda restortit, i cili i informonte për praninë ose jo të VIP-ave në banesë.

Efektivit të SHISH-it, iu vodhën 3 telefona celularë me vlerë 5 mijë $

Pavarësisht se u grabitën vilat e dy deputetëve të PD-së, vlera e marrë prej tyre ka qenë në shifra minimale. Personi që është dëmtuar më shumë, nga kjo valë grabitjeje e ndodhur më datë 27 korrik është efektivi i SHISH-it, Petrit Mamo. Sipas policisë, Mamos i janë vjedhur 3 aparate celularë, ku 2 ishin të markës më të shtrenjtë në treg “Vertu” dhe një ishte “iPhone 6”. Në sajtet on line, 2 aparatet e celularëve “Vertu Constellation” kapin vlerën e 4400 dollarëve ndërsa “iPhone 6” rreth 600 dollarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat