Erion Veliaj merr sot zyrtarisht detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, dëtyre e cila do ti dorëzohet nga nënkryetari demokrat, Enno Bozdo. Bozdo do ti dorëzojë kryebashkiakut të ri projektet dhe dosjet e punes.
Erion Veliaj do t'i drejtohet Bashkisë së Tiranës me një armatë prej 4 nënkryetarësh Brunilda Paskali e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Arbian Mazniku i PS, Andi Seferi i Frymës së Re Demokratike dhe pritet të konfirmohet edhe emri i nënkryetarit të katërt nga PDIU.
Po sot konstituohet dhe Këshilli Bashkiak ku Aldrin Dalipi do të jetë kreu i Këshillit bashkiak të Tiranës për katër vitet e ardhshme. Drejtuesit demokratë në bashkinë e Tiranës në orët e fundit të qëndrimit të tyre në detyrë po kujdesen të përcjellin në publik imazhin e dorëzimit zyrtar të pushtetit.
Në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës ndodhen dosjet e projekteve strategjike të qytetit të Tiranës, ku Bozdo sqaron se janë 110 projekte, 50 prej të cilave gati për prokurorim.
Bozdo: "Janë 110 projekte të zakonshme që janë në vazhdim e sipër, prej të cilave 50 kanë përfunduar të gjitha proçedurat dhe janë gati të hapen për prokurim që nesër nga kryetari i ri i Bashkisë. Futen menjëherë në linjën e tyre, në kalendarin e tyre të zbatimit. Unë kam nxjerrë projektet më të rëndësishme, projektet strategjike të Tiranës."