Lojërat e fatit, kufizime për kompanitë që kanë detyrime tatimore

Shqipëria

Lojërat e fatit, kufizime për kompanitë që kanë detyrime tatimore

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 08:21

Subjektet e lojërave të fatit që kërkojnë hapjen e pikave të reja si në rastin e basteve sportive apo kazinove elektronike, nuk do të mund të zgjerojnë aktivitetin e tyre pa vërtetuar se nuk kanë detyrime tatimore. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka firmosur një ndryshim në udhëzimin për procedurat e hapjes dhe mbylljes së lojërave të fatit, sipas të cilit hapja e adresave sekondare mund të kryhet vetëm nëse këto subjekte paraqesin pranë njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit vërtetimin për shlyerjen e të gjitha detyrimeve tatimore.

Udhëzimi i ri është një masë e marrë nga Ministria e Financave për të forcuar kontrollin në një prej sektorëve më problematikë sipas qeverisë, sa i përket shkallës së lartë të informalitetit, evazionit fiskal, por shpeshherë edhe pasojave sociale negative për qytetarët. Ndërkohë që pak kohë më parë qeveria miratoi edhe një projektligj i cili përcakton rregulla të qarta për ushtrimin e këtij aktiviteti. Në të kufizohet shtrirja territoriale e kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit. Për të kufizuar numrin e pikave të basteve sportive, projektligji përcakton një numër maksimal sallash si dhe rrit distancën nga mesatarisht 20 në 200 metër nga njëra sallë në tjetrën, por edhe nga shkollat dhe institucionet e fesë. Projektligji përcakton një afat licencimi deri në 10 vite për bastet sportive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat