Aldrin Dalipi kreu i Këshillit Bashkiak, Basha refuzon të dorëzojë detyrën

Shqipëria

Aldrin Dalipi kreu i Këshillit Bashkiak, Basha refuzon të dorëzojë detyrën

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 22:30

Arbjan Mazniku do të jetë nënkryetari i ri i Bashkisë së Tiranës. Burime zyrtare bëjnë të ditur se Mazniku, i cili mban aktualisht postin e zv.ministrit të Arsimit dhe Sportit, do t’i bashkohet Erion Veliajt në stafin drejtues të bashkisë së kryeqytetit.

Ndërkaq, mësohet se edhe PDIU do të përfaqësohet në këtë bashki me një nënkryetar dhe për këtë post është zgjedhur Isuf Shehu, jurist dhe një ndër hartuesit e programit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Pas Andi Seferit dhe Brunilda Paskalit, tashmë shkon në 4 emri i nënkryetarëve të zyrtarizuar të Bashkisë së Tiranës.

Lidhur me postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, emri më i përfolur për t’u propozuar dhe për t’u hedhur në votim në mbledhjen e së enjtes është ai i Aldrin Dalipit, i cili e mban këtë post prej dy vjetësh dhe pritet t’i jepet besimi i këshilltarëve edhe për 4 vitet e ardhshme.

Ndërkaq, burime nga stafi i kryetarit të ri bëjnë të ditur për Top Channel se fillimisht ishte menduar që ceremonia e betimit dhe fjalimi i Erion Veliajt të ishte i hapur për publikun dhe të zhvillohej në ambientet e jashtme, më konkretisht në sheshin mes bashkisë dhe Ministrisë së Brendshme, në shenjë edhe të faktit se bashkia është e qytetarëve dhe si simbol i transparencës.

Sipas të njëjtave burime, kjo zgjidhje ishte menduar edhe për të pasur sa më shumë të ftuar në këtë ceremoni, të ftuar të cilet nuk mund të jenë të pranishëm në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak për shkak të hapësirës të kufizuar të saj.

Por këshilltarët e zgjedhur të opozitës kanë këmbëngulur që edhe cermonia e betimit dhe fjalimi të zhvillohen në sallën e mbledhjeve të këshillit.

E në këto kushte është vendosur që ceremonia të mbahet në ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës, ku të ftuar do të jenë vetëm 5 përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend, atij mysliman, atij katolik, atij ortodoks, atij të bektashinjve dhe atij protestant.

Ndërkaq, nënkryetari aktual i bashkisë Enno Bozdo, në një intervistë për Top Channel tregon se stafi akutali këtij institucioni ka përgatitur dosjet e projekteve në zhvillim, të cilat do t’i prezantohen kryebashkiakut të ri.

“Unë do ta pres kryetarin e ri, do t’i bëj një prezantim të situatës aktuale, çfarë përmban çdo dosje. Do ta bëj me dije që të gjithë drejtorët dhe stafi teknik i bashkisë është në zyrat e punës për ta pritur dhe për ta mbështetur atë në fazën tranzitore, që është dhe faza më e vështirë e punës”, ka deklaruar Bozdo.

Në zyrën e kryetarit nuk janë kryer ndryshime të shumta, veç ngjyrës së mureve dhe disa mobiljeve që janë sjellë nga stafi i ri i kryebashkiakut. Edhe pse ende nuk është përfunduar plotësisht, ajo pritet të jetë gati nesër për të pritur kyretarin e ri, Erion Veliaj./TCh

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat