E vërteta e akuzave ndaj meje për trafik

Shqipëria

E vërteta e akuzave ndaj meje për trafik

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 20:06

Pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për një deputet të dënuar për trafik njerëzish, kanë vërshuar akuzat e Partisë Demokratike, se emri të cilit i referohet DASH, është deputeti socialist Arben Ndoka.

Më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi se “të gjithë e dinë, përveç qeverisë, se deputeti i dënuar për trafik prostitucioni në Itali është Arben Ndoka”. Përballë këtyre akuzave, deputeti socialist reagoi sot, duke thënë se opozita po përpiqet që të denigrojë emrin e tij, dhe familjen, duke spekuluar mbi të shkuarën.

Ai sqaron opinionin publik se 20 vjet më parë ka nisur drejt tij një proces gjykimi në Itali, në mungesë të tij dhe të një avokati, për akuza të cilat ai jo vetëm që nuk i pranon, por edhe i mohon. Arben Ndoka përmend në deklaratën e tij edhe disa oferta “të fshehta” të bëra nga PD për të kandiduar në emër të saj, të cilat thotë se nuk i ka pranuar.

Për kreun e demokratëve Lulzim Basha, Ndoka thotë se “Zoti Basha tenton të më bëjë pis për shkak të bizneseve të mija të ndershme, por unë jam një ish-biznesmen që jam bërë politikan, ndërsa Lulzim Basha është një politikan që sillet si biznesmen. Ai nuk jep dot asnjë shpjegim se si është bërë milioner duke qenë politikan”.

Deklarata e plotë e deputetit Arben Ndoka:

Ka disa ditë që emri im është rikthyer në debatin politik të opozitës , duke u përpjekur të prodhojnë kapital politik, duke denigruar mua, familjen time dhe duke spekuluar me të shkuarën time.

Në respekt të opinionit publik dhe votuesve të mi dua të bëj disa sqarime.

20 vite më parë, ndaj meje ka nisur një proces gjykimi në Itali në mungesë time, në mungesë të një avokati të autorizuar nga unë dhe pa dijeninë time, akuza të cilat nuk i kam pranuar dhe jam në një proces për rihapjen e gjykimit kundër tyre. Jam njohur me atë vendim në vitin 2002, dhe kam bërë transferimin e dosjes në Shqipëri, duke e shlyer dënimin e dhënë padrejtësisht në mungesë time. Për dijeni unë kam jetuar dhe punuar gjithmonë në Shqipëri dhe gjatë gjithë jetës sime kam vetëm dy qëndrime njërin 6 muaj dhe tjetrin 7 muaj jashtë Shqipërisë.

Unë kam kryer një dënim për një faj që nuk e kam kryer dhe të ngarkuar në adresë time nga njerëz të tjerë, por shpresoj që procesi që po rihapet dhe ta pastroj këtë histori aksidentale ndaj meje.

Historinë time reale e njohin bashkëqyetarët e mi me të cilët kam jetuar kam punuar dhe jam votuar prej tyre. Duke filluar nga viti 1996 unë kam punuar në një kompani private në Lezhë, me pas kam shërbyer ne Garden e Republikes dhe pastaj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Ndërtimit. Ndërkohë kam pasur kompaninë time të përpunimit të duraluminit dhe të gjithë llojet e xhamit me te cilën kam punuar për vite me radhë në të gjithë vendin.

Në kohen që Partia Demokratike ka qenë në pushtet pas vitit 2005, kam punuar ne Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar si Drejtor i Drejtorisë se Ekzekutimit, me pas kam punuar si Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit Teknik po në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Prej andej jam larguar me dorëheqjen time, për të kandiduar për deputet në listën e Partisë Socialiste në qarkun Lezhë.

Para se të merrja këtë vendim, kam pas oferta të hapura dhe të fshehta nga Partia Demokratike për të kandiduar në emër të tyre, por nuk i kam pranuar. Ata që mi kanë bërë, janë ende në politikë në PD, mundësisht në parlament dhe mund të dëshmojnë.

Siç mund ta shihni, jeta ime është jeta e një njeriu të zakonshëm shqiptar që ka bërë biznes dhe karrierë në vendin e tij, në administratën e shtetit të tij, pavarësisht nga krahët politik. Jetëgjatësinë më të madhe në administratë shtetërore e kam pasur në kohën kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike.

Ndryshe nga Lulëzim Basha dhe te tjer rreth tij, unë kam bërë biznes, karrierë adminsitrative dhe politike, për shkak të atyre pak apo shum vlerave që mund te kem pasur dhe jo i katapultuar nga dikush tjetër për tu përdorur si kukull për qëllime politike. Zoti Basha tenton të më bëj pis duke më etiketuar trafikant i qenieve njerëzore, por nëse ekziston dikush në politikën shqiptare që është në krye të një partie vetëm se ka mikluar vajzën e shefit dhe e ka trafikuar këtë miklim në karrierë politike, është pikërisht Lulzim Basha.

Zoti Basha tenton të më bëj pis për shkak të bizneseve të mija të ndershme, por unë jam një ish biznesmen që jam bërë politikan, ndërsa Lulzim Basha është një politikan që sillet si biznesmen. Ai nuk jep dot asnjë shpjegim se si është bërë milioner duke qenë politikan. Unë mund të dokumentoj cdo qindarkë timen, se ku e kam fituar e si e kam fituar, ndërsa Basha nuk justifikon dot as milionat e marra si pajë në Holandë, dhe as miliardat e fituara si ministër i ndjekur penalisht si hajdutë i 220 milion eurove. Unë kam vuajtur një dënim të padrejtë që nuk më përket mua, ndërsa Basha ka përdorur pushtetin për tu mos u përballur kurrë me një gjykim i cili e akuzon atë për vjedhje të milionave tona, të cilin e ka bërë. Unë nuk i kam borxh askujt asnjë qindarkë dhe aq më pak shtetit tim, ndërsa Lulzim Basha është vrima e shpuar e çdo xhepi shqiptar, të cilit i ka vjedh dhe qindarkat e fundit.

Unë nuk jam në gjak me askënd pasi nuk kam vrarë askënd në këtë vend, ndërsa Lulzim Basha është vrasës i padënuar i katër qytetarëve dhe si i tillë është në gjak me tetë fëmijë shqiptarë që po rriten duke e parë si vrasësin e babait të tyre.

Unë nuk i lë Shqipërisë asnjë turp dhe asnjë borxh nëse iki nga politika dhe nga kjo jetë, ndërsa Lulzim Basha me disa pijanec ordiner i ka lënë këtij vendi njollën e tradhtisë duke firmosur për shitjen e detit me Greqinë, vetëm për ti mbrojtur krahët shefit të tij Sali Berisha.

Lulzim Basha nuk më bën dot pis duke përmendur një aksident të jetës sime, shkaktuar nga të tjerë, ndërsa ai vet është rrethuar me vetëdije nga element kriminal të shoqërisë të cilët i kanë siguruar atij karrierën politike. Lulzim Basha u bë kryetar bashkie fal keqpërdorimit të një krimineli të dënuar nga gjykatat shqiptare, i quajtur Arben Ristani. Fal atij personi që ishte peng i drejtësisë, Basha u bë kryebashkaik dhe ia ktheu nderin duke marrë një njeri ordiner dhe duke e bërë deputet dhe numër dy të partisë së tij, që po shkon dita ditës poshtë e më poshtë.

Nuk di si mund të quhet e pastër partia e Lulzim Bashës, kur numri 1 i saj ka shmangur gjyqin me forcën e pushtetit, numri dy i saj është dënuar për hajdut, dhe deputetë të tjerë mbështetës të tij janë me precedent penal. Çfarë mund të thotë Lulzim Basha për Alban Zenelin i cili është dënuar me dy vjet burg nga të cilat ka bërë 7 muaj, pasi ka marrë zvarrë në mes të qytetit të Kuksit një grua me makinë.

Çfarë mund te thotë për perversitetin e Genc Pollos, që nga milionat e arsimit e deri tek jeta e tij private e mbushur me perversitete.

Çfarë mund te thoje per Genc Strazimirin I cili duke tentuar të vetviktimizohet si kamikaz, kërkon të mbuloj jo vetëm problemet e tij psiqike, por dhe defiçencat e inferioritetin, që ka ndaj Sali Berishës, për shkak të sphiunllëqeve që ka bërë kundër tij.

Nuk dua të vazhdoj më gjatë, por duke u kthyer tek raporti im me ju, e di mirë ku qëndron frymëzimi i gjithë kësaj fushate. Ju u dëshpëruat, që unë nuk pranova të bëhem me kualicionin tuaj në vitin 2013, ndërsa isha dy herë Drejtor i Lart në administratë në kohën qe ju ishit ne pushtet. Ju ishit deri atëherë mbrojtësit e mi më të mëdhenj dhe avokatët e mi real, pasi e dinit se dënimi im nuk ka lidhje me mua.

Shumë miq të mi që janë ende deputet tuaj e dëgjojnë kokulur këtë akuzë, për të cilën kanë luftuar të më hiqet. E kuptoj se ju doni të më penalizoni pse u rreshtova kundër jush më 2103. Por unë nuk kandidova në Lezhë, as si shok i vajzës shefit, dhe as si kukull e kryetarit, por si një qytetar që qyteti më njihte dhe nuk kisha kurrfarë drojë të shikoja njerëzit në sy.

Më vjen ndot kur u dëgjoj të flisni për vjedhje votash, kur ju vet në Kurbin në vitin 2013, keni futur më shumë flet votimi sesa ishte numri i votuesve. Ne disa Qendra votimi janë gjetur 500 vota të PD dhe 7 vota te PS ndërkohë qe 70 për qind e fshatit jetonin ne emigracion. Siç provoi dhe ekspertiza. Të gjithë këto procesverbale ishin firmosur nga e njëjta dorë, nga i njëjti njeri.

Ju ishit ata që tentuat të bënit masakrën në Komunën Blinisht të rrethit Lezhe. Gjashtë veta te pajisur me arme kallashnikov, tentuan të mbushin kutitë e votimit në momentin e mbylljes, para dhjetëra banoresh, por kjo u ndal nga mbështetës të PS dhe këtë nuk ma falni.

Me keni sjelle forca te shumta speciale përfshire dhe ato te RENEA javën e fundit të fushatës elektorale 2013 për të më vënë nën presion, duke më arrestuar dhe 20 vetë ku shumica ishin familjaret e mi dhe keni moral të flisni për vjedhje votash.

Me çfarë morali mund t’i qeverisni bashkitë të cilat keni fituar pasi kryetarët e tyre të sapo emëruar, pasi kanë paguar qindra mijëra euro për të qenë kandidat.?

Ju jeni thjesht një parti e frustruar nga humbja që kërkoni të qetësoni veten dhe të mashtroni të tjerët për shkaqe imagjinare humbjeje. Mua nuk më lidh asgjë as me shpifjet tuaja, as me procesin e hapur në Itali në mungesën time, të cilin e kam përballuar me dinjitet. Nga viti 1996 kur jam martuar, kam jetuar në Shqipëri, kam qenë dhe vazhdoj të jem një familjar më i rregullt dhe më i përgjegjshëm se çdo deputet i PD në të gjithë historinë e tyre, njëkohësisht një deputet i përgjegjshëm për detyrat e mia ndaj elektoratit dhe qarkut në të cilin jam votuar duke vënë në dispozicion të gjithë vullnetin tim .

E përsëris dhe një herë se unë kam kandiduar në Qarkun Lezhë, dhe në vendlindjen time, aty ku për njerëzit nderi dhe dinjiteti është më i çmuar se karrigia e një deputeti. Një njeri që ka kurajë të përballet me njerëzit që ka jetuar dhe është rritur, nuk mund të krahasohet me një emigrant të rikthyer në Shqipëri, për shkak të buzëqeshjeve të dhuruara, për të bërë të ndjehet e bukur, vajza e shefit të tij që më pas t’i garantojë jo vetëm karrierën politike por dhe mbrojtjen ligjore për krimet e padënuara të tij. Nëse në këtë vend një ditë duhet të fillojë procesi i dekriminalizimit, duhet të nisë me ata që kanë mbyllur gjyqet pa u zhvilluar dhe jo me ata që kanë pësuar dënime dhe gjyqe pa bërë asgjë. Dhe në krye të kësaj liste je ti Lulzim Basha!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat