Ja çfarë ka thënë Edi Rama për Arben Ndokën (Video)

Shqipëria

Ja çfarë ka thënë Edi Rama për Arben Ndokën (Video)

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 13:23

Një ditë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë vendos gishtin mbi plagë duke e cilësuar të turpshme që ka një anëtar të Parlamentit shqiptar të dënuar për trafikimin e njerëzve.

Ambasada Amerikane nuk përmend asnjë emër, por ka qenë opozita ajo që verën e kaluar, publikoi një dosje të plotë, në bazë të së cilës akuzonte deputetin socialist të Lezhës, Arben Ndoka, se ishte dënuar nga gjykata në Itali me 7 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.

Për këtë gjë duket se ishte në dijeni edhe Kryeministri Rama, i cili vendimin e një gjykate italiane për deputetin e tij, e minimizonte si një ngatërresë.

Amerikanët kanë qenë me siguri në dijeni për këtë qëndrim të Kryeministrit, ndaj në deklaratën e tyre theksojnë se “shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë,” përfundon reagimi i Ambasadës.

Pavarësisht shkresave, vetë Arben Ndoka ka deklaruar se ishte dënuar në mungesë dhe sipas tij gjithçka ishte një lapsus i drejtësisë italiane.

Për të favorizuar procesin e dekriminalizimit, politika ngriti edhe një komision të posaçëm parlamentar, i cili duhej të kishte mbyllur punën në qershor, por shtyu afatin për në fund të 2015-ës.

Gjatë këtij harku kohor, Shtetet e Bashkuara bënë disa herë thirrje që politika të mbante larg kandidimit në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, elementë me rekorde kriminale, por thirrja e tyre ra kryesisht në vesh të shurdhët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat