Rekordi i eksodit, rreth 78 mijë largohen nga vendi dhe nuk kthehen

Shqipëria

Rekordi i eksodit, rreth 78 mijë largohen nga vendi dhe nuk kthehen

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 12:03

Janë rreth 78 mijë shtetas shqiptarë më tepër se vitin e kaluar që janë larguar në periudhën janar-korrik 2015, por nuk janë kthyer, sipas statistikave të Policisë së Shtetit për hyrje-daljet në pikat e kalimit kufitar. Zyrtarisht dihet se mbi 22 mijë kanë kërkuar strehim politik në Gjermani, mijëra të tjerë kanë përfunduar në shtete të tjera të BE-së, ose emigrojnë në mënyrë klandestine drejt Britanisë ose SHBA-së. Por, një pjesë, për të cilën nuk ka statistika, nuk preferon të regjistrohet dhe punon në “të zezë”. Sipas statistikave të policisë, rreth 2.2 milionë shtetas shqiptarë kanë dalë jashtë vendit në periudhën janar-korrik 2015, por nga ana tjetër kanë hyrë vetëm 1.94 milionë persona. Pra diferenca është 256 mijë persona, ose 78 mijë më tepër se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ky hendek për të njëjtën periudhë, ishte 178 mijë persona.

Shifrat e INSTAT

Nëse do të marrin shifrat e emigracionit neto të llogaritur nga INSTAT, për vitin 2014, shifra e largimeve është disa herë më e lartë në vitin 2015. Sipas INSTAT, në vitin 2014, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 46.413 persona, ku 52% e zinin meshkujt. Në të njëjtin vit, numri i imigrantëve në Shqipëri u vlerësua të jetë 28.367 persona dhe migracioni neto gjatë vitit të kaluar rezulton të ketë qenë –18.046. Kështu, të ikurit në raport me të kthyerit janë 2 mijë më shumë se në vitin 2013. Sipas INSTAT, më 2014-n, emigracioni neto ishte -16414 persona. Ky tregues pritet të përkeqësohet këtë vit, duke parë të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2015. Në tremujorin e parë daljet e shtetasve shqiptarë janë 870.066 persona, duke shënuar një rritje prej 1,9%.

Largimet dhe deportimet

Censusi i fundit 2011, evidentoi edhe një fenomen të ri, atë të migracionit të kthimit, i cili ndikoi në rritjen e migracionit neto. Sipas studimit të bërë nga INSTAT “Migracioni i kthimit dhe riintegrimi në Shqipëri”, rezulton se gjatë viteve 2009-2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133.544 persona. Nga të dhënat, ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011 me rreth 1,5 herë për shkak të krizës ekonomike në Eurozonë dhe kryesisht në Greqi. Por, duke nisur nga viti i kaluar, numri personave që lënë vendin është më i madh se numri i atyre që kthehen. Kthimet, ku dominojnë ardhjet vullnetare (94%) kanë ndodhur nga Greqia, 70.8%, të ndjekura nga Italia 23.7% dhe vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, etj. Sipas statistikave të Policisë së Shtetit, numri i deportimeve (dëbimeve) të shtetasve shqiptarë kanë ardhur në rritje, nga 1511 në janar 2015 deri në 2279 vetë në maj 2015. Për muajin qershor, policia ende nuk ka një shifër zyrtare të deportimeve. Ndërsa, diferenca më e lartë mes daljeve dhe hyrjeve të shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar, është në muajt mars dhe maj, ku diferenca negative arrin deri në 50 mijë persona (që konsiderohen se nuk janë kthyer).

Arsyet e largimit

Gjetjet e vrojtimit të INSTAT, të publikuar vitin e kaluar, tregojnë që arsyet kryesore për emigracionin nga Shqipëria kanë qenë papunësia në vend dhe mundësi më të mira punësimi jashtë vendit së bashku me mundësi për të ardhura më të larta. Studimi i INSTAT tregon që 66% e emigrantëve që përballen me papunësinë në vendet e destinacionit shprehen se do të konsideronin kthimin e përhershëm, nëse do të kishte punësim të sigurt në Shqipëri. Kushte të tjera të rëndësishme për kthimin e përhershëm do të ishin arsyet familjare (23%) dhe kushte jetese të pranueshme (14%). Papunësia dhe mungesa e mbështetjes institucionale në vendet e destinacionit u identifikuan si përcaktuese të kthimit të përhershëm. Ndërkaq, 60% e të anketuarve e përshkruan integrimin si të vështirë, ndërsa për 24% ndodhte e kundërta. Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 83%, u shprehën që nuk kishin marrë asnjë lloj ndihme pas kthimit. Tre faktorët kryesorë tërheqës të emigracionit kanë qenë: Papunësia (71.8%) e ndjekur nga mundësi më të mira pune 67.7% dhe mundësi për të ardhura më të larta me 64.7%. Edhe pse jo në përqindje të lartë, bashkimi familjar është arsye migracioni për 16.3% të të intervistuarve dhe për 43.8% të femrave. Pasiguria e përgjithshme në vend është perceptuar gjithashtu nga 8.8% e të pyeturve si një faktor shtytës për emigracionin. Shumica e emigrantëve, 58.8% përpara se të migronin ishin të papunë; 11.7% kishin punë të përhershme, 7.4% ishin të vetëpunësuar dhe 11.8% ishin studentë. Një përqindje e vogël prej 3.7% ishin në pension në kohën që kishin vendosur të emigronin. Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit. Përqindja e papunësisë u ul nga 58.8% në 27%, një ulje e ndjeshme. 55% e të pyeturve paguheshin me rrogë me vendin e destinacionit, që ishte pothuajse pesë herë më e lartë krahasuar me situatën përpara migracionit.


Statistikat e hyrje daljeve të shtetasve shqiptarë

Maj 2015

304.514 hyrje 354.050 dalje

Deportuar 2.279 persona

Prill 2015

312.678 hyrje 341.249 dalje

Deportuar 2.161 persona

Mars 2015

264.659 hyrje 293.549 dalje

Deportuar 1.866 persona

Shkurt 2015

222.804 hyrje 242.778 dalje

Deportuar 1.334 persona

Janar 2015

258.341 hyrje 333.739 dalje

Deportuar 1.511 persona

Dhjetor 2014

386.727 hyrje 306.323 dalje

Deportuar 1.700 persona



Policia

Vetëm 25 mijë kanë qëndruar në BE

Statistikat e shqiptarëve që kanë kaluar kufijtë me qëllim kërkimin e azilit janë kontradiktore. Në kohën kur burime të pakonfirmuara të policisë thonë se nga janari 2015 deri më 21 korrik, diferenca e personave që kishin lënë kufijtë me ata që janë kthyer, është rreth 78 mijë shtetas, burimet zyrtare të policisë i thanë gazetës “Shqip” se kjo shifër nuk shkon më tepër se 25 mijë shqiptarë. Të njëjtat burime theksuan se një numër tepër i madh shqiptarësh lënë kufijtë në ditët e para të janarit, çka përkon me ikjen në vendet ku punojnë dhe jetojnë, pas mbarimit të festave të fundvitit, ndaj krijohet kjo diferencë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat