Qeveria tërhiqet, prish kontratat koncesionare vetëm për ndërtimet e panisura

Shqipëria

Qeveria tërhiqet, prish kontratat koncesionare vetëm për ndërtimet e panisura

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 11:18

Projektet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, ku nuk ka nisur ende puna, nuk do të lejohen nga qeveria, e cila do të paraqesë në Parlament një projektligj, i cili synon t’i japë fund abuzimit me HEC-et dhe minierat në zonat e mbrojtura

Shkatërrimi i mjedisit nga ndërtimi i HEC-eve dhe kërkimet që bëjnë koncesionarët e minierave do të konsiderohen vepër penale

Qeveria nuk do të lejojë më ndërtimin e hidrocentraleve apo dhënien e lejeve koncesionare në zonat e mbrojtura, ku nuk ka nisur ende puna, por nuk do të prishë ato kontrata koncesionare të lidhura më parë. Edhe pse para marrjes së drejtimit të qeverisë, Edi Rama ka premtuar se “do të rishikohen të gjitha koncesionet klienteliste”, edhe pse kjo mund të kishte ndikim direkt në buxhetin e shtetit, duket se tashmë hartimi i një projektligji do të jetë vetëm për kontratat e reja që do të lidhen. Në këtë përfundim ka dalë dje Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, në takimin “Zhvillimi i burimeve natyrore në harmoni me mjedisin”. “Janë 58 projekte HEC-esh në zonat e mbrojtura, përveç atyre që janë ndërtuar apo atyre që janë në vazhdim, të cilave nuk kemi çfarë t’u bëjmë, sepse janë kontrata koncesionare të lidhura me qeverinë dhe, nëse i hedhim në erë me INUK-un, do të kishim fatura marramendëse për të paguar. Pra nuk na del llogaria. Por, të gjitha ato që nuk kanë filluar, nuk do të ndërtohen më”, tha Kryeministri Edi Rama.

Qëndrimi

Ai ka qenë i ashpër në tonet që përdori për të gjithë investitorët, të cilët kanë shfrytëzuar pasuritë natyrore në Shqipëri dhe kanë shkelur kontratat që pasur kanë me qeverinë, duke shmangur rehabilitimin mjedisor që u duhet bërë pyjeve. “Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të kemi asnjë tolerancë për të gjithë ata të cilët vazhdojnë të shfaqin sjellje barbare për mjedisin. Do të rendojmë në mënyrë të ndjeshme ndëshkimet për të gjithë ata që prekin nga një pemë te një pyll i tërë. Do të miratojmë një paketë ligjore për krimin mjedisor. Ne jemi në luftë edhe me ata që presin pyjet dhe i shfrytëzojnë dhe nuk po nxjerrim dot përgjegjësi penale, për shkak të bandës së gjyqësorit”, tha Kryeministri. Kjo nismë e qeverisë, sipas Ramës, vjen në një moment kur kompanitë që merren me shfrytëzimet e burimeve natyrore nuk u janë nënshtruar detyrimeve kontraktuale me qeverinë, duke sjellë kështu pasoja të rënda. “Është fatkeqësi që në vitin 2015 ende nuk kemi mbaruar me këtë proces konflikti të vazhdueshëm mes qeverisë, për të vendosur dhe për ta kthyer në normë respektimin e çdo angazhimi kontraktual të të gjitha kompanive që merren me shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe vetë kompanive, të cilat vazhdojnë të rezistojnë dhe vazhdojnë të mos i nënshtrohen plotësisht detyrimeve kontraktuale mbi të cilat kanë marrë edhe të drejtat për shfrytëzim të pasurive natyrore”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Për këtë, Rama dha edhe shifra konkrete, teksa shtoi se kontratat e punës do të zbatohen rreptësisht. “Ne revokuam 160 leje minerare, si shkak i mungesës së kushteve minimale të punës. Por, ka ardhur koha të shkojmë më tutje dhe të drejtat të mos lidhen drejtpërdrejt vetëm me kushtet e punës dhe sigurisht dhe të jetës së njerëzve, që është pjesa më e çmuar, por edhe me zbatimin pikë për pikë të kontratës dhe të angazhimeve të marra në kontratë për përgjegjësinë mjedisore”, shtoi më tej Rama.

Shqetësimet

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur shqetësimeve të komunitetit dhe shoqërisë civile, u ndal edhe te rrjedha e lumit Vjosë, ku tha se nuk do të lejohet ndërtimi i HEC-eve, siç ishte parashikuar nga qeveria e mëparshme. “Ne kemi një plan tjetër për Vjosën, atë të parkut natyror. Dhe, sigurisht që nuk mund të kthejmë mbrapsht hidrocentralet që janë në ndërtim, por që nga Kalivaçi e lart nuk do të lejojmë më të ndërtohet asnjë hidrocentral”, deklaroi Edi Rama. Një tjetër shqetësim i ngritur në takim është fakti se, shumë subjekte që zotërojnë licencë në sektorin minerar nuk kryejnë rehabilitim mjedisor siç parashikon ligji, për të cilat tashmë pritet që të ketë propozime për dënimin e tyre.

Projekti

Në projektligjin e ri që parashikon rehabilitimin progresiv të mjedisit, për të cilin ndërkohë jemi duke përgatitur dhe një sërë aktesh nënligjore, është detyrimi për të bërë rivlerësime nga të gjitha institucionet përkatëse. Është koha që subjektet të kryejnë rehabilitim progresiv, vit pas viti, dhe jo vetëm përfundim të afatit të lejes minerare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat