Fullani, shpërdorim detyre për tri çështje

Shqipëria

Fullani, shpërdorim detyre për tri çështje

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 09:58

Ardian Fullani u paraqit pasditen e djeshme në Prokurorinë e Tiranës, ku u njoh me akuzën e shpërdorimit të detyrës në të paktën tri raste. Vjedhja e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, blerja e Hotel ‘Dajtit’ dhe rikonstruksioni i selisë qendrore të Bankës së Shqipërisë, sipas prokurorisë janë shkeljet e kryera nga ish-guvernatori.

Një vit nga nisja e hetimeve për skandalin e Bankës së Shqipërisë, ish-guvernatori Ardian Fullani merret zyrtarisht i pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

I shoqëruar nga avokati i tij, Fullani është paraqitur pasditen e djeshme në Prokurorinë e Tiranës, ku nuk qëndroi më shumë se 10 minuta. Ai u njoh me akuzën e ngritur nga prokuroria dhe pasi e firmosi atë, u largua nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës pa bërë komente për mediat.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se Fullani është larguar duke mos dhënë asnjë deklarim përpara prokurorëve lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas burimeve mësohet se ndaj ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës me pasojë dëme të konsiderueshme financiare”.

Akuza e prokurorisë u referohet tri çështjeve të ndryshme të hetuara për rreth një vit. Rasti i parë për të cilin nisën dhe hetimet ka të bëjë me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë, ngjarje e cila u zbulua në korrik të vitit të shkuar.

Për këtë vjedhje prokuroria urdhëroi arrestimin e 19 personave, mes të cilëve guvernatori Fullani dhe inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi. Por ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, ish-guvernatori arriti të rifitojë shpejt lirinë, pasi Gjykata e Apelit caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe Gjykata e Lartë caktoi “detyrim për paraqitje”.

Madje në vendim, gjykata ka marrë përsipër edhe shqyrtimin e themelit të çështjes, pasi ndër të tjera thotë se veprimet e ish-guvernatorit nuk kanë sjellë pasojë në vjedhjen e ndodhur në Thesarin e Bankës së Shqipërisë.

Por nga hetimi i prokurorisë rezulton se, pavarësisht propozimeve të Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori nuk kishte zgjedhur zv.guvernatorin e dytë, i cili sipas ligjit kishte si detyrë të hartonte politikat e sigurisë në Bankën Qendrore.

Ky post ka mbetur vakant për vite me radhë dhe prokuroria ngarkon me përgjegjësi ish-guvernatorin Fullani, i cili sipas akuzës ka shpërdoruar detyrën. Por në listën e akuzave të ngritura nga prokuroria nuk mungon as shitja e shumëdebatuar e Hotel ‘Dajtit’, të cilin Banka e Shqipërisë e bleu nga qeveria në shumën e 30 milionë eurove.

Procedura e ndjekur për këtë blerje dhe ajo që ndodhi më pas me Hotel ‘Dajtin’, sipas prokurorisë konsiderohet si shkelje ligjore, për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi ish-guvernatori, i cili ka miratuar transaksionin.

Ndërsa çështja e tretë për të cilën prokuroria thotë se ish-guvernatori ka përgjegjësi ligjore, ka të bëjë me rikonstruksionin e selisë qendrore të Bankës së Shqipërisë.

Ky proces ka zgjatur rreth një vit e gjysmë më tepër nga sa ishte parashikuar në kontratë, çka ka sjellë pasoja ekonomike edhe për faktin se gjatë kësaj kohe Banka e Shqipërisë e ushtronte veprimtarinë e saj në ambiente të marra me qira.

Vlera e qirasë së paguar për një periudhë prej rreth dy vitesh, sipas akuzës është shumë më e lartë se çmimi i tregut të qirave për zonën ku ishte vendosur përkohësisht një pjesë e stafit të Bankës së Shqipërisë.

Për të gjitha këto akuza, ish-guvernatori do të përballet në Gjykatën e Tiranës, ku brenda kësaj jave pritet të depozitohet dosja penale e prokurorisë.

Gjykimi i ish-guvernatorit do të kryhet veçmas nga autorët e tjerë të përfshirë ose të dyshuar si të përfshirë në skemën e vjedhjes së 713 milionë lekëve.

Hetimet janë mbyllur një vit pas shpërthimit të skandalit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit, ku autori kryesor është Ardian Bitraj, i dënuar në muajin maj me 20 vite burg nga gjykata, nga të cilët do të vuajë 13, për shkak të gjykimit të shkurtuar që kishte kërkuar më herët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat