Paskali, Mazniku dhe Seferi i FRD-së do jenë pjesëtarë të ekipit të Veliajt

Shqipëria

Paskali, Mazniku dhe Seferi i FRD-së do jenë pjesëtarë të ekipit të Veliajt

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 09:45

Të enjten në orën 10:00 kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nis zyrtarisht detyrën e tij. Mbledhja e konstituimit të Këshillit Bashkiak do të konfirmojë Veliajn në krye të kësaj bashkie, përmes betimit e më pas do të vijohet me zgjedhjet e drejtuesve të Këshillit Bashkiak.

Mësohet se Bashkia e Tiranës do të funksionojë me tre nënkryetarë, ku do të përfaqësohen tre nga partitë e koalicionit fitues në zgjedhjet e 21 qershorit.

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë publik dje emrin e Brunilda Paskalit si një nga nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës, aktualisht zv.ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Deri para pak ditësh përflitej se nga LSI nënkryetare e Bashkisë së Tiranës do të ishte ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, lëvizja e së cilës nga kjo ministri do të shoqërohej me një rikompozim të kabinetit qeveritar.

Duket se nuk do të kemi ndryshime të ministrave, ndërkohë që edhe Fryma e Re Demokratike, aleati më i ri i PS­së në këto zgjedhje do të ketë Andi Seferin në postin e nënkryetarit të Bashkisë, shkruan “Panorama”.

Arbër Mazniku mbetet njeriu më potencial për të qenë në krah të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, si nënkryetar, ndërkohë që ai aktualisht vazhdon detyrën e zv.ministrit të Arsimit.

Mësohet se ka qenë një këmbëngulje e Kryeministrit Rama që Mazniku të qëndrojë në Ministrinë e Arsimit, si personi që është marrë gjatë me reformën në arsimin e lartë, por duket se Kryeministri ka rënë dakord me propozimin e Veliajt që Mazniku të emërohet në Bashki.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat