Beqaj: Qytetarët të bëjnë kontrolle për Hepatitin B

Shqipëria

Beqaj: Qytetarët të bëjnë kontrolle për Hepatitin B

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 13:12

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u ka bërë thirrje qytetarëve për t’u kontrolluar për virusin e Hepatitit B.

Këtë apel e bëri gjatë vizitës në qendrën shëndetësore të specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, me rastin e Ditës Botërore të Hepatitit. Beqaj tha se duke iu bashkuar dhe nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë organizohen sot aktivitete të veçanta për të ndërgjegjësuar të gjithë njerëzit, për të qenë pjesë e një komunikimi të mirëfilltë me institucionet shëndetësore.

“Në kuadër të kësaj dite zhvillohen vizita falas në të gjithë Shqipërinë. Do të organizojmë sot aktivitete të veçanta për të ndërgjegjësuar të gjithë njerëzit, për të parandaluar këtë sëmundje apo për t’u diagnostifikuar në një stad të hershëm. Sot, në këtë poliklinikë dhe në disa qendra të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë, organizohen testime , ku njerëzit ftohen të vetëkontrollohen për këtë lloj sëmundje”, theksoi ministri i Shëndetësisë.

Ai shtoi se në 12 vitet e fundit tek grupmosha nga 0-18 vjeç nuk janë të rrezikuar aspak nga Hepatiti B. “Në 10 -12 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm, praktikisht në moshat 0-18 vjeç ne kemi prevalencë zero. Në grupet e riskut, kemi një mbulim vaksinimi në 98 % por besojmë se është e domosdoshme që të zgjerojmë dhe të punohet me të gjithë popullatën”, tha Beqaj.

Ministri u shpreh se vitet e fundit janë përfshirë në skemat e mjekësisë edhe lista e rimbursimit, së bashku me barnat e reja, të cilat janë në gjendje të mjekojnë me efektivitet ato raste kur sëmundjet kapen në rastet shumë të avancuara. “E keqja e hepatit është që mund të shkojnë deri në tumore të mëlçisë.’, tha ministri Beqaj.

Ndërkohë, Silva Bino, Drejtuese e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, tha gjithashtu se “numri i rasteve me prevalencë të Hepatitit B ka pësuar një rënie, po të kemi parasysh që Shqipëria ka qenë një nga vendet me prevalencë më të larët ne Evropë, por vazhdojmë të kemi një lloj stabilizimi në lidhje me Hepatitin C”.

Edhe Bino u ka bërë apel të gjithë njerëzve që të testohen për Hepatitin B dhe C, “për vetë faktin se për to duhet të ketë kujdes shëndetësor, dhe natyrisht ka një mjekim i cili mund ta frenojë sëmundjen”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat