Lu: E turpshme si deputeti i dënuar për trafik vazhdon punën

Shqipëria

Lu: E turpshme si deputeti i dënuar për trafik vazhdon punën

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 12:57

Ambasada amerikane në Tiranë reagon një ditë pas raportit të Departamentit të Shtetit, ku Shqipëria cilësohej si vendburim i trafikimit njerëzor. Ambasada përgëzon përpjekjet e qeverisë shqiptare për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni.

“Në vijim të interesimit nga media për Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Personave për 2015, Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut.

Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, shkruan Ambasada e SHBA-ve.

Nga ana tjetër Ambasada i bën thirrje sërish politikës që të largojë personat me precedentë penalë. Ajo kujton raportin e DASH ku theksohej se, një deputet i Parlamentit është i dënuar për trafikim njerëzor. Ambasada e SHBA-ve e vlerëson si të turpshme këtë ngjarje dhe kërkon reagimin e politikës.

“Në të njëjtën kohë, Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike, që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”, përfundon deklarata e Ambasadës amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat