Rama: HEC-et dhe minierat jo më në zonat e mbrojtura

Shqipëria

Rama: HEC-et dhe minierat jo më në zonat e mbrojtura

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 12:26

Asnjë investim për ndërtimin e hidrocentraleve dhe të minierave nuk do të lejohet më në zonat e mbrojtura. Propozimi i qeverisë shqiptare u komunikua sot gjatë projektit të Ministrisë së Energjetikës në bashkëpunim me PNUD, për një harmoni të mjedisit dhe projekteve minerare e të HEC-eve. Në aktivitetin me temë: “Zhvillimi i burimeve natyrore në harmoni me mjedisin”, ishte i pranishëm ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Shefi i ekzekutivit, Edi Rama, deklaroi se qeveria nuk do të lejojë ndërtimin e HEC-eve në të gjithë ato zona që quhen të mbrojtura. Gjatë fjalës së tij Rama pohoi se, shumë shpejt do miratohet një projektligj, i cili do të ndalojë këtë fenomen. Sipas Ramës, batërdia e korrupsionit ka sjell dhënien e lejeve të ndërtimit të disa HEC-eve, kjo në kundërshtim me ligjin.

"Qeveria është angazhuar për të rivendosur rendin ligjor në këtë terren, ku ka ende shumë për të bërë. Dy momente me rëndësi themelore që janë adresuar në këtë periudhë kanë pasur të bëjnë me minierat dhe me HEC-et, për të krijuar një ekuilibër sa më të natyrshëm, mes nevojës së pandalshme për zhvillim dhe që ky zhvillim të mos cenojë të ardhmen e vendit dhe të mos ndodhë në kurriz të gjeneratave të tjera. Në vitet e shkuara kemi pasur një zhvillim të paqëndrueshëm, ku të drejtat e zhvillimit janë dhënë pa hesap dhe pa drejtuar mekanizmat e domosdoshëm për të monitoruar detyrimet, që burojnë nga këto të drejta.

Ka disa shembuj shumë domethënës lidhur me faktin se, shumë kompani që kanë operuar në sektorin e minierave dhe ndërtimin e HEC-eve vazhdojnë t’i kenë detyrime të rënda shoqërisë dhe një pjesë e tyre për vite të tëra as nuk kanë denjuar të paguajnë garancinë e rehabilimit. Në të shkuarën batërdia e korrupsionit dhe e këtij modeli zhvillimi ka sjellë një numër të drejtash apo lejesh të dhëna për HEC-e, ndër të cilat 113 janë drejtpërdrejtë në zona të mbrojtura, të caktuara ligjërisht si zona të paprekshme nga rrugët e zhvillimit, 42 janë në prodhim, 23 janë në proces, 48 të tjera nuk kanë filluar punë dhe nuk do të fillojnë, pasi në projektligjin që propozohet për të rishikuar lejet e dhëna do të ndalohet ndërtimi i HEC-eve apo çdo lloj tjetër aktiviteti në zonat e mbrojtura", deklaroi Rama.

Paketë ligjore kundër krimit mjedisor

Kryeministri ka shtuar më tej se, ekzekutivi i tij do të vazhdojë të stimulojë investimet dhe rritjen e kapaciteteve të tyre, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të dërgojë në Parlament projektligjin kundër krimeve mjedisore. Përmes kësaj pakete të posaçme ligjore parashikohet rritja e ndjeshme e masave ndëshkimore për të gjithë ata që do e dëmtojnë.

“Shumë shpejt do i çojmë Parlamentit një paketë të re për krimet mjedisore dhe në mënyrë shumë të ndjeshme do rrisim ndëshkimet për të gjithë ata që prekin një pemë deri tek një pyll i tërë” tha Rama.

Rama: Ka edhe modele të investitorëve

Pavarësisht rasteve problematike, kryeministri theksoi se ka modele të investitorëve, të cilët i zbatojnë plotësisht kontratat dhe që kanë ndikuar në rritjen e punësimit në Shqipëri.

“Në projektligjin e ri është detyrimi për të bërë rivlerësimet nga të gjithat institucionet përkatëse. Është koha që disa shembuj pozitiv të bëhen shembuj jo më të veçantë, por shembuj në të gjithë territorin, si p.sh: subjekte që operojnë në Krujë, që pasqyrojnë shembuj pozitiv në respektimin e kontratës, po ashtu siç po aty apo edhe në zona të ndryshme operojnë shembuj negativë. Është e trishtueshme, që sot ende nuk kemi përfunduar kthimin në normë të çdo kompanie, që merren me shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kompanive që vazhdojnë të mos zbatojnë detyrat kontraktuale. Zbatuam 60 leje për shkak të kushteve të punës, por ka ardhur koha që të shkojmë më tutje, që të drejtat të mos lidhen vetëm me kushtet, por edhe me zbatimin e përpiktë të kontratës. Do vazhdojmë të mbështesim rritjen e kapaciteteve, që po ndodh në mënyrë të vazhdueshme në sektorin e minierave, çka ka sjell rritje të punësimit dhe shpërblimit të minierave. Jemi po ashtu të kënaqur edhe me punën në sektorin e energjisë, me punën e kënaqshme dhe me përgjegjësinë e lartë në respektimin e resurseve natyrore”, tha Rama.

Gjiknuri: Monitorim të kontratave

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri ka bërë me dije se, është kryer monitorimi i të gjitha kontratave që u janë dhënë bizneseve në zonat e mbrojtura.

“Ka disa shembuj të mirë në industrinë minerare, por ka edhe një pjesë që kanë marrë penalitete. Në zonat e mbrojtura nuk do të ketë më leje ndërtimi, pasi respektimi i standardeve mjedisore ka shumë rëndësi. Do të arrijmë ekuilibrin e duhur mes zhvillimit ekonomik, duke respektuar standardet mjedisore. Të mos lejojmë më ndërtimin e HEC-eve në zona të mbrojtura, janë disa kontrata në fuqi me gjithë problematikën që ato shfaqin, por nuk do të lejojmë në vijim. Kontratat që janë duke u zhvilluar nuk do të preken, do të vazhdojnë të përfundojnë projektin e tyre. Një pjesë e kontratave me HEC-e kanë dështuar, një pjesë e tyre po zhvillohen. Ato që nuk marrin në konsideratë mjedisin, pavarësisht se kemi nevojë për investime, nuk mund të sakrifikojmë të ardhmen e vendit. Sektori minerar ka problema për shkak të fragmentimit të lejeve të minierave. Gjetëm 1100 leje, bëmë revokime, hoqën lejet e fjetura që nuk kontribuonin më për buxhetin e shtetit dhe ky numër është reduktuar thuajse në gjysmë”, deklaroi Gjiknuri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat