Hetuesit në Lazarat për të zbuluar nga u qëllua Basha

Shqipëria

Hetuesit në Lazarat për të zbuluar nga u qëllua Basha

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 11:39

Rikthim në vendin e krimit për të rindërtuar ngjarjen e rëndë që i mori jetën efektivit të RENEA-s. Rreth një muaj pas sulmit të grupit të armatosur ndaj forcave speciale, grupi hetimor u kthye sërish sot në fshatin famëkeq të Lazaratit, në vendin ku u vra me plumb në kokë efektivi Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj.

Grupi hetimor udhëhiqet nga prokurorët Anton Martini, Ervin Kondini dhe Besim Hajdarmataj, të cilët së bashku me ekspertë të policisë do të improvizojnë edhe njëherë skenën e krimit, duke filluar nga vendi ky dyshohet se u qëllua automjeti i pablindur i efektivëve.

Nga riekspertimi i vendit të ngjarjes nuk do të ketë qitje, por pritet që përmes aparatit lazer të përcaktohet vendi nga ka ardhur goditja me armë ndaj Ibrahim Bashës.

Ekzekutimi i efektivit të RENEA-s, Basha, ndodhi më 24 qershor, rreth orës 02:30 të mëngjesit, teksa po hynte në Lazarat për një operacion policor. Personi i dyshuar që ka përdorur këtë armë është Arbjon Aliko, i arrestuar tre ditë pas krimit. 20-vjeçari Aliko mohon që të ketë qëlluar ndaj policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat