Pakistani: Shqipëria po ndjek modelin tonë, presidentë, kryeministra e ministra drejtë burgut

Shqipëria

Pakistani: Shqipëria po ndjek modelin tonë, presidentë, kryeministra e ministra drejtë burgut

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 07:53

Niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri, masat që po ndërmerren dhe që pritet të vijojnë në ditët në vijim, kanë bërë jehonë deri në vendet e lindjes. Disa media dhe portale pakistaneze kanë deklaruar ditët e fundit se Shqipëria është duke ndjekur pikërisht modelin që u ndoq nga Pakistani për luftuar korrupsionin.

“Pakistan TV” dhe portali “Himaqatain.com” në faqet e tyre zyrtare janë shprehur se shembulli i ndjekur nga autoritetet vendase po ndiqet edhe nga shqiptarët. “Shqipëria adopton modelin e Pakistanit në luftën ndaj korrupsionit”, mban titullin lajmi i publikuar në faqen e televizionit pakistanez.

Në brendësi të tij përshkruhen të gjitha hapat që janë ndërmarrë nga Pakistani në dy vitet e fundit me qëllim luftimin e korrupsionit në nivelet më të larta. Po ashtu, janë përshkruar dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, sidomos në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë.

Por, çfarë ndodhi në Pakistan që pritet të ndodhë edhe në Shqipëri?

Në Pakistan Gjykata e Lartë ka urdhëruar arrestimin e kryeminsitrit, të Presidentit dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë për korrupsion. Vendimet për arrestime kanë ardhur pikërisht pas reformës radikale në drejtësi.

Arrestimi i zyrtarëve
Dy mediat pakistaneze në shkrimet e tyre kanë renditur masat që janë ndërmarrë vitet e fundit nga autoritetet vendase, duke qenë se deri në vitin 2012 Pakistani renditej mes vendeve më të korruptuara në botë.

Masat më të forta të ndërmarra, që pritet të zbatohen dhe në vendin tonë, kanë qenë prangosja e një sërë zyrtarësh të lartë.

Në vitin 2013 Gjykata e Lartë e Pakistanit urdhëroi arrestimin e kryeministrit, Raja Pervez Ashraf, dhe për 15 zyrtarë të tjerë të lartë, të akuzuar për korrupsion. Sipas hetimeve të saj kohe, për të kishte dyshime se kishte marrë ryshfet për favorizimin e disa projekteve të veçanta të ndërtimit të hidrocentraleve në vend, gjatë kohës kur ishte ministër në vitin 2010.

Nuk i ka shpëtuar hetimeve dhe presidenti Asif Ali Zardari, pasi në vitin 2012 qeveria lejoi Gjykatën Supreme të niste hetimet ndaj tij për korrupsion. Asif Ali Zardari dhe gruaja e tij e ndjerë ish-kryeministrja e Pakistanit Benazir Bhutto, u shpallën fajtorë në mungesë nga gjykata zvicerane në vitin 2003 për pastrimin e miliona dollarëve në formë ryshfetesh nga kompanitë zvicerane, kur të dy punonin në qeveri.

Modeli pakistanez

Pakistani deri pak vite më parë renditej mes vendeve me korrupsionin më të lartë në botë, por dy vitet e fundit janë marrë masa të shumta duke e reduktuar atë. Por realisht çfarë ka bërë Pakistani? Falë reformave në vitin 2013 ky shtet u ngrit me 50 vende në renditjen e “Transparency International”.

Masa kryesore e ndërmarrë ishte hartimi i një legjislacioni kundër korrupsionit, i cili ishte i veçantë për rajone të ndryshme të Pakistanit. Qëllimi i tij ishte forcimi i masave dhe ndëshkimeve ndaj ryshfetit.

Një tjetër masë ishte hartimi i programeve të veçanta të transparencës së institucioneve, ku qytetarët kishin më tepër akses për t’u informuar mbi performancën e tyre. një rëndësi e madhe ju dha manipulimit të zgjedhjeve.
U hapën një sërë portalesh ku qytetarët dërgonin foto dhe video të rasteve të parregullsive.

Ashtu si Shqipëria edhe në Pakistan ka pasur një problem të madh të korrupsionit në drejtësi, duke qenë sektori më i korruptuar për disa vite. Por pas reformave të ndërmarra gjyqësori arriti të dërgojë pas hekurave një sërë zyrtarësh. Reforma të ngjashme u ndërmorën edhe në një sërë fushash të tjera, si arsim, shëndetësi, etj./GazetaSot/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat