Nënkryetari i FRD-së nënkryetar i bashkisë së Tiranës

Shqipëria

Nënkryetari i FRD-së nënkryetar i bashkisë së Tiranës

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 20:03

Kur mbeten edhe 3 ditë nga konstituimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës dhe betimit të kryetarit të ri, Erion Veliaj, kanë filluar të zyrtarizohen edhe emrat e parë të nënkryetarëve të bashkisë së kryeqytetit.

Burime partiake bëjnë të ditur për “Top Channel” se, Andi Seferi është propozimi i Frymës së Re Demokratike për nënkryetar të Bashkisë Tiranë. Andi Seferi mban aktualisht postin e nënkryetarit të FRD dhe duket se gëzon besimin e Bamir Topit për të qenë edhe nënkryetar i bashkisë më të madhe në vend.

Mësohet se Bashkia e re e Tiranës nuk do të ketë më dy nënkryetarë, por për shkak të shtrirjes së saj tashmë disa herë më të madhe, do të ketë 4 ose 5 të tillë, numër ky që ende nuk është përcaktuar dhe që pritet të zyrtarizohet gjatë orëve në vijim.
Çdo nënkryetar do të ketë një fushë të caktuar, për të cilën do të jetë përgjegjës dhe Seferi mësohet se do të jetë përgjegjës për zonat rurale. Andi Seferi është me profesion jurist dhe ekonomist dhe ka kryer studimet master në qeverisje në Universitetin e Palermos dhe Universitetin Katolik të Peruxhas në Itali.

“Top Channel” ka arritur të mësojë se, të përfaqësuar me nënkryetarë do të jenë të gjithë aleatët e koalicionit për Shqipërinë Europiane, të cilët arritën të merrnin këshilltarë në zgjedhjet e 21 qershorit, e më konkretisht LSI, PDIU dhe FRD. Ndërsa mbetet ende për t’u zyrtarizuar nëse Partia Socialiste do të jetë e përfaqësuar me një apo dy nënkryetarë.

Ndërkaq, deri të enjten më 30 korrik, kur pritet të zhvillohet edhe mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliaj të marrë zyrtarisht detyrën si kryetari i ri i bashkisë së kryeqytetit, pritet të zyrtarizohen dhe emrat e tjerë të nënkryetarëve, të cilët do të votohen nga 61 anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat