Kuvendi “fton” ish-sigurimsat për të hapur dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

Shqipëria

Kuvendi “fton” ish-sigurimsat për të hapur dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 16:39

Autoriteti për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që është ngarkuar për të bërë hapjen e të gjitha dosjeve të bashkëpunëtorëve dhe punonjësve të ish-Sigurimit të Shtetit do të jetë një institucion që do të përbëhet nga 4 anëtarë, të cilët do të përzgjidhen përmes një konkursi që do të organizohet nga Nënkomisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut. Mësohet se nga kandidaturat që do të propozohen nga palët e interesuara për këtë proces, më të preferuarit për Kuvendin e Shqipërisë për të qenë pjesë e Autoritetit do të jenë ata persona që kanë eksperiencë në fushën e arkivave, historisë, sigurisë kombëtare dhe që kanë njohuri të dokumentuara mbi punën dhe metodat e ndjekura nga ish-Sigurimi i Shtetit. “Duke pasur parasysh specifikën e punës së këtij autoriteti, inkurajohen të gjithë ata kandidatë që kanë eksperiencë në fushën e arkivave, historisë, sigurisë kombëtare dhe që kanë njohuri të dokumentuara mbi punën dhe metodat e ndjekura nga ish–Sigurimi i Shtetit. Kriteri i përvojës në këto fusha nuk përbën kusht të detyrueshëm ligjor në kuptim të kërkesave të parashikuara në nenin 9 të ligjit”, thuhet në njoftimin për aplikim të Kuvendit të Shqipërisë.

Konkursi

Në një intervistë dhënë dje për “A1 Report”, kryetarja e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Vasilika Hysi, u shpreh se me çeljen e sesionit të ri parlamentar Kuvendi do të nisë punën për ngritjen e autoritetit për hapjen e dosjeve të regjimit diktatorial. Në një intervistë për TV A1Report, kryetarja e nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Vasilika Hysi, tha se ky autoritet do të jetë gati në muajin shtator dhe në përbërjen e tij do të jenë 4 anëtarë. “Sipas ligjit janë katër anëtarë të cilët do të përzgjidhen në këtë rast nga Kuvendi dy do të jenë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, një do të vijë nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe një nga shoqatat e të përndjekurve politikë”, u shpreh Vasilika Hysi. Me cilësinë e organizatores së seancave dëgjimore me të gjithë kandidaturat që do të paraqiten në Kuvend, Hysi sqaroi se kandidatët për anëtarë do t’i nënshtrohen një konkursi publik e më pas të përzgjedhurit do të votohen në Parlament. “Stafi i Kuvendit do të njoftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për listën e personave, të cilët janë vetëofruar për të konkurruar dhe njëkohësisht më pas do të ketë dhe një dëgjesë publike me të gjithë kandidatët. Pasi bëhet dëgjesa e të gjithë kandidatëve personat që të shkojnë për miratim në seancë plenare duhet të marrin së paku firmën e 28 deputetëve, por kjo procedurë nuk e pengon që një kandidat me firmën e 28 deputetëve t’i nënshtrohet ose t’i futet konkurrimit”, tha Hysi.

Përzgjedhja

Në shtator, Kuvendi do të nisë procedurat për rekrutimin e anëtarëve që do të jenë pjesë e Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që është ngarkuar për të bërë hapjen e të gjitha dosjeve të bashkëpunëtorëve dhe punonjësve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në kuadër të këtij procesi, Kuvendi ka nisur tashmë grumbullimin e të gjithë emrave që janë propozuar, por edhe që do të propozohen deri në shtator, dhe më pas do të bëhet dhe përzgjedhja e kandidatëve fitues që do të jenë pjesë e Autoritetit. Për këtë arsye, Kuvendi ka ngarkuar Nënkomisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, i cili drejtohet nga deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, dhe që do të grumbullojë jo vetëm propozimet e partive politike, por edhe ato që do të propozohen nga shoqatat e ish të përndjekurve, por edhe të shoqërisë civile, dhe për të gjithë këta kandidatë do të ndiqet e njëjta procedurë: ku të gjitha kandidaturat që propozon Kuvendi do t’i nënshtrohen një procesi të hapur publik dhe pastaj do të jenë grupet parlamentare organet që do të zgjedhin ndërmjet kandidaturave të propozuara. Dhe për të arritur deri në këtë fazë, të gjitha kandidaturat do t’i nënshtrohen një procedure paraprake, ku të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e autoritetit për hapjen e dosjeve do të dëgjohen në seanca të veçanta nga Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut. Pas dëgjesave, grupet parlamentare do të kenë edhe relacionet e nënkomisionit, do kenë dhe relacionet e përfaqësuesve të tyre atje dhe më pas do të vendosin për fituesit. Pasi grupet parlamentare të vendosin veçmas për kandidatët fitues që do të jenë pjesë e autoritetit, ato do të bashkojnë mendimet dhe do t’i dërgohen Kuvendit për votim në seancë plenare.

Dokumentacioni i nevojshëm për konkurrim

Nga data 24 korrik deri në datën 22 gusht të interesuarit për t’u bërë pjesë e Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit do të kenë mundësi të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

Kërkesë për shprehje interesi për të kandiduar për vendin vakant të shpallur
CV-në
Librezë e punës.
Diplomë që provon se ka mbaruar arsimin e lartë, diplomë “Master shkencor” ose tituj të ekuivalentuar me të.
Vërtetim të gjendjes gjyqësore që nuk ka qenë i dënuar penalisht.
Deklaratë që kandidati nuk është anëtar i partive politike.
Deklaratë që kandidati nuk është në konflikt interesi.
Deklaratë që kandidati nuk ka mbajtur asnjë prej detyrave apo cilësive, të përcaktuara në nenin 9, pika 1, germa ‘ë’ e ligjit nr. 45/2015 datë 30.04.2015 “Për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Bashkëlidhur kërkesave për dokumentacion, kandidatët para emërimit në detyrë do të firmosin tri deklarata të ndryshme: një deklaratë për mosmbajtjen e cilësive apo detyrave që përbëjnë ndalesa ligjore; deklaratë mbi konfliktin e interesit; dhe deklaratë mbi mosqenien anëtar i partive politike

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat