Qeveria tërhiqet nga ndërtimet te Parku i Liqenit

Shqipëria

Qeveria tërhiqet nga ndërtimet te Parku i Liqenit

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 08:31

Zv/kryeministri Peleshi tha se qeveria synon rritjen e sipërfaqes së gjelbër në këtë park dhe jo betonizimin, ndërkohë që për tri godinat e planifikuara për t’u ndërtuar, ai theksoi se do të shfrytëzohej një pjesë e hapësirës prej 40 mijë metër/katror, që ka zënë Garda e Republikës.

Shtyrja për në shtator e shpalljes së studios fituese mësohet se është një tërheqje e butë e qeverisë nga ideja e ndërtesave pranë Universitetit dhe sheshit “Nënë Tereza”.

Asnjë prej projekteve që u prezantuan dy ditë më parë për hyrjen e re të Parkut të Liqenit nuk do të zbatohet. Reagimi i menjëhershëm i opinionit publik duket se ka luajtur një rol determinues në qëndrimin e qeverisë për zbatimin e ndonjërit prej 9 projekteve të prezantuara të hënën në prani edhe të kryeministrit Edi Rama.

Hapi i parë në drejtim të tërheqjes nga këto projekte është hedhur dje, teksa zv/kryeministri Niko Peleshi dhe përfaqësuesi i jurisë që do vlerësonte projektet deklaruan se vlerësimi për to do bëhej në shtator, ndërsa nuk nguruan të theksonin se nga ajo që kishin parë, ato ishin shumë të ngarkuara me ndërtime.

Sipas Peleshit, kjo shtyrje për në muajin shtator, është bërë për t’u dhënë mundësi studiove të rishikojnë koncept-idenë e tyre, duke synuar rritjen e sipërfaqes së gjelbër në këtë park dhe jo betonizimin. Ai ka bërë të ditur se do synohet një qasje tjetër për të realizuar hyrjen e Parkut Kombëtar, por edhe për sistemimin e tri godinave që ishin edhe në planet e prezantuara të hënën. Peleshi ka theksuar se së pari do synohet prishja e ambienteve të Gardës së Republikës, përfitimi prej tyre i sipërfaqes së nevojshme që do të sjellë shtim të parkut por edhe ndërtimin e godinave të kërkuara për ambiente publike.“Procesi për çlirimin e hyrjes së parkut ka filluar me prishjen e ndërtimeve në krah të korpusit të universitetit.

Do të vazhdojmë me çlirimin e një hapësire tjetër, e cila pavarësisht se i përket një organi shtetëror, siç është Garda e Republikës, është totalisht e paaksesueshme nga publiku dhe këtu nuk bëhet fjalë për një sipërfaqe të vogël, por për 40 mijë metër/katror. Pra në finale, pas çlirimit të sipërfaqes së hyrjes së parkut, duke i rikthyer publikut sipërfaqen prej më shumë se 40 mijë metër/katror të Gardës së Republikës dhe duke shfrytëzuar një pjesë të kësaj sipërfaqeje për të akomoduar tri objekte publike”, – deklaroi Peleshi.

Në fakt, burime pranë mazhorancës kanë bërë të ditur se ajo që është e sigurt është se asnjë prej atyre projekteve që u prezantuan në aktivitetin e ditës së hënë nuk do zbatohet, pasi ato vijnë në kundërshtim së pari me filozofinë e zhvillimit të Tiranës me më shumë gjelbërim dhe së dyti bien ndesh me arkitekturën e godinave përreth sheshit “Nënë Tereza”. Ndaj dhe hapi i djeshëm i qeverisë duket se shkon në këtë drejtim, për të riparë edhe një herë nga e para mundësinë sesi mund të realizohet hyrja e Parkut të Liqenit, nëpërmjet zhvendosjes së godinës së Gardës së Republikës. Ajo që duhet thënë në këtë rast është se menjëherë pas prezantimit të këtyre projekteve erdhi një reagim i fortë i opinionit publik, si nëpërmjet mediave, ashtu edhe rrjeteve sociale, ku qeveria u sulmua fort lidhur me betonizimin që kërkonte t’i bënte kësaj pjese të Tiranës nëpërmjet zbatimit të njërit prej këtyre projekteve.

Forumi

Një prej atyre që reaguan ishte edhe Forumi i Trashëgimisë Kulturore, i cili shprehu shqetësimin e tij në lidhje me mungesën e informacionit për shpalljen e këtij konkursi, ndërkohë që kërkon dhe marrjen në konsideratë të mendimeve të qytetarëve. “Forumi sugjeron që të diskutohet edhe njëherë, të ketë një diskutim paraprak për një plan të ri zhvillimi, dhe më pas të ndërmerren hapa të tillë për ndërtime në zonën hyrëse të Parkut. Qytetarët, edhe nga jashtë vendit janë tepër të shqetësuar, sepse është parë se çfarë është bërë me planet rregulluese dhe me nisma të tilla.

Të gjithë shprehin shqetësimin që të ruajmë sa më shumë zonat e gjelbra që kanë mbetur në Tiranë. Një vendim i tillë duhet marrë i peshuar, i hapur me qytetarët, me grupet e interesit dhe më pas të shikohet se kush është projekti më i mirë për ndërtimin në hyrjen e Parkut të Liqenit”, – thotë Erjon Tase nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore. Po ashtu edhe grupimi “Ne, Tirana”, që drejtohet nga Gjergj Bojaxhi, është shprehur kundër ndërtimeve në hyrje të Parkut Kombëtar. “Ajo që është e tmerrshme në këtë proces është që qytetarët e Tiranës nuk po pyeten fare, nuk po pyeten nëse janë dakord me këtë plan apo jo dhe mbi të gjitha ky plan do të dhunojë trashëgiminë kulturore. Gjithë pjesa tek sheshi ‘Nënë Tereza’ është pjesë e trashëgimisë kulturore”, thotë grupimi./mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat