Aty ku besa e mikpritja u shkelen me të dyja këmbët: Nëntë dramat që tronditën Dukagjinin

Shqipëria

Aty ku besa e mikpritja u shkelen me të dyja këmbët: Nëntë dramat që tronditën Dukagjinin

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 20:54

Dukagjini i Shkodrës u rikthye edhe një herë në qendër të mediave dhe opinionit publik, dhe siç ka ndodhur rëndom këto kohë, jo për bukuritë e tij natyrore, por në faqen e kronikës së zezë.

Vrasja me armë zjarri e dy turistëve çekë Michael Svatos dhe Anna Kosinova nga i riu 20 vjeçar Sokol Mjacaj, mbajti të mbërthyer të gjithë shqiptarët. Madje ngjarja mori edhe nuanca dhe reagime politike, duke shkuar deri aty sa kjo ngjarje e rëndë u cilësua si “prerje në besë”, lidhur me fatin tragjik që pati çifti çek.

Por kjo nuk është e para herë që ky vend, ku natyra është treguar bujare, të kthehet në “strehën” e krimeve dhe vrasësve nga më të panatyrshmet.

E cilësuar si “Lazarati 2” për shkak të kultivimit në masë të lëndëve narkotike kanabis sativa, Dukagjini dhe fshati famëkeq i Gjirokastrës, kanë po aq të përbashkëta sa edhe dallime.

E vendosur në mbi 2400 metra lartësi, dhe një nga zonat ku kanuni vazhdon të jetë ligji i banorëve të kësaj zone, Dukagjini ka prodhuar jo vetëm kanabis sativa ndër vite, por tashmë edhe krime ku pikërisht vlerat shqiptare si besa e mikpritja shkelen me të dyja këmbët.

Në një përmbledhje të bërë nga JavaNews.al, që nga Qershori i vitit 2012 e deri më 3 Korrik të 2015, janë në total 9 ngjarje të rënda që etiketojnë Dukagjinin si “Lazaratin e heshtur të veriut”.

Krimet janë të natyrave nga më të ndryshmet, që nga gjakmarrja e krimi në familje, e deri tek kundërshtimi dhe gjuajtja me armë e 2 helikopterëve të policisë verën e kaluar. Në të tillë situatë, lind nevoja e një vëmendje më të shtuar nga autoritetet e rendit në këtë zonë, pse jo edhe në vendosjen e një komisariati policie në Dukagjin.

Sepse Dukagjini nuk mund të qëndrojë më në heshtje, pasi krimi nuk është traditë e shqiptarëve, dhe të tilla vrasje si ajo e turistëve çekë, i dënon edhe kanuni.

Kronologjia e ngjarjeve të ndodhura në Dukagjin

3 Korrik 2015 – Vritet me kallashnikov nga Sokol Mjacaj çifti i turistëve çekë Michael Svatos dhe Anna Kosinova, në Prekal të Dukagjinit. Autori 20 vjeçar pranoi vrasjen duke u shprehur se kishte tentuar të grabiste turistët.

22 Gusht 2014 – Sulmohen me armë automatike nga një shpat mali në Pult të Dukagjinit, 2 prej 3 helikopterëve të vënë në mbështetje të 160 forcave të policisë të cilat marrin pjesë në operacionin Antikanabis në Shkodër. Policia identifikoi dhe arrestoi 10 persona të cilësuar si “grupi i zjarrit”.

20 Gusht 2014 – Policia e Shtetit nis aksionin anti-kanabis në zonat e thella të Dukagjinit. Gjatë këtij aksioni, i dyti më i rëndësishëm pas Lazaratit, asgjësohen mbi 120 mijë rrënjë kanabis si dhe sekuestrohen dhjetëra kilogramë hashash.

24 Korrik 2014 – Krimi në familje merr sërish jetë në Dukagjin. Në fshatin Kir një konflikt pronësie brenda familjes ka çuar në plagosjen e dy vëllezërve dhe nënës së tyre.

Të plagosur mbetën dy vëllezërit, Martin e Kol Qershia dhe nëna e tyre Lina Qershia, e cila u plagos rëndë.

3 Tetor 2013 – Në lagjen Kiras të Shkodrës vritet Çesk Leka, 45 vjeç i cili qëllohet me armë zjarri pistoletë ka qenë duke hyrë në banesë. Në atë kohë, familja Leka kishte pak vite që ishte transferuar në Shkodër pasi kishte zbritur nga zonat e thella të Dukagjinit.

12 Shtator 2012 – Një 49 vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Vuksanaj të komunës Shalë në zonën e Dukagjinit.Viktima ishte Marash Tonaj, teksa gjakmarrja është bërë sërish motiv për vrasje. Sipas policisë së Shkodrës, vrasja dyshohet se e ka zanafillën në vitin 2003, ku vëllai i viktimës, Nik Tonaj mendohet të jetë autori i vrasjes së një çifti bashkëshortësh, Nik dhe Lena Pjolla.

1 Gusht 2012 – Krimi brenda familjes godet sërish në një familje nga Dukagjini. Babai vret vajzën e tij 14 vjeçare, ndërsa pas këtij akti, ka vrarë edhe veten. Ngjarja e rënë ndodhi në fshatin Arrë të komunës Temal, që është edhe një nga zonat më të thella të Dukagjinit, rreth 4 orë larg Shkodrës.

Viktimat, ishin Mirash Bregu, 45 vjeç dhe 14 vjeçarja Mariana Bregu. Sipas policisë së Shkodrës shkak i këtij sheri ka qënë një konflikt mes dy viktimave, pasi 14-vjeçaria nuk donte të qëndronte më në fshatin Arrë.

14 Qershor 2012 – Gjakmarrja i merr jetën me armë zjarri 17 vjeçares Marie Çuku dhe gjyshit të saj Kol Çuku. Ngjarja ndodhi në lagjen Kasnet të fshatit Kir të Dukagjinit

2001 – Historia tragjike e zhdukjes së tre studentëve çekë në vjeshtën e vitit 2001 në Shqipëri. Mihal Pavelka, Jan Pavelka dhe Lenka Tuçkova, u zhdukën në zonën malore të Dukagjinit, vjeshtën e vitit 2001. Ende sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion në lidhje me fatin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat