Reforma në drejtësi, opozita çon përfaqësuesit e vet në komisionin e posaçëm

Shqipëria

Reforma në drejtësi, opozita çon përfaqësuesit e vet në komisionin e posaçëm

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 20:04

Opozita do ta marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi.

Këtë e bëri të ditur sot deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, i cili shpjegoi se opozita është tërhequr nga kërkesa për bashkëdrejtimin e këtij komisioni.

Ai tha se janë depozituar emrat e pesë anëtarëve përfaqësues të opozitës, të cilët do të miratohen në seancën e ardhshme të komisionit.

“Gjatë javëve të fundit ka pasur takime intensive të eksponentëve të Partisë Demokratike me partnerët ndërkombëtarë të cilët ndihmojnë në çështjet e reformës në drejtësi, dhe nga sinjalet dhe mesazhet që kemi marrë, shumica ka pranuar një nga dy kërkesat e opozitës. Ka pranuar kërkesën përsa i përket barazisë në komision, një kërkesë shumë e rëndësishme në mënyrë që reformat të jenë jetëgjata dhe të mos varen nga qenia vetëm në një mandat e një qeverie”, deklaroi Halimi në një prononcim për media.

Ai u zotua se opozita do ta shohë me vëmendje dhe seriozitet angazhimin e qeverisë në këtë reformë, në mënyrë që ajo të bëhet duke pasur si synim luftën ndaj korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë, dhe jo kapjen e tyre. Sepse, sipas ligjvënësit të djathtë, është fakt i pranuar tashmë nga të gjithë se gjatë këtyre dy viteve, çdo ligj i kaluar nga qeveria që ka pasur të bëjë me drejtësisë nuk ka pasur si synim luftën ndaj korrupsionit, por kapjen e institucioneve të drejtësisë.

“E kam fjalën këtu për ligjin e KLD-së, i cili nuk solli asnjë risi tjetër për luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, përsa u përket shkallëve të para të gjykimit, por solli vetëm zëvendësimin e karrigeve, duke ndryshuar tre anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti i mëparshëm me tre anëtarë militantë të Partisë Socialiste në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pra ka qenë një ligj që nuk ka pasur në fokus luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por kapjen e sistemit të drejtësisë, ashtu si ligjet e tjera që janë miratuar nga qeveria gjatë këtyre dy viteve”, tha Halimi.

Duke iu rikthyer çështjes së dekriminalizimit, deputeti i PD-së theksoi se ai duhet të shkojë paralelisht me reformën në drejtësi, “pasi është shumë e rëndësishme që ligjet që do të hartohen për të reformuar sistemin e drejtësisë të vijnë nga deputetë me integritet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat