Kreu i gjykatës heq dorë nga çështja e Shpëtim Gjikës

Shqipëria

Kreu i gjykatës heq dorë nga çështja e Shpëtim Gjikës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 20:01

Një nga anëtarët e trupit gjykues të çështjes së Shpëtim Gjikës, është tërhequr nga procesi gjyqësor. Konkretisht ka hequr dorë gjyqtari Skënder Haluci, i cili ushtron edhe detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ai së bashku me gjyqtarët Laurent Fuçia, Anastasi Shehu, ishin zgjedhur si anëtarë të trupit gjykues për çështjen e Gjikës.

Nga motivacioni i përdorur në deklaratën e heqjes dorë, rezulton se gjyqtari ka pranuar njohjen dhe marrëdhënien me një nga të pandehurit në këtë çështje penale, e konkretisht me të pandehurin Shpëtim Gjika. Prokuroria ka denoncuar rastin në fjalë, duke theksuar se anëtari i trupit gjykues që ka hequr dorë, ka pasur interes në procedim, duke përberë një vepër penale.

Pavarësisht se njëri prej anëtarëve hoqi dorë, Prokuroria gjykon se dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues janë të ndikuar apo mund të ndikohen, kjo për shkak të faktit se i njëjti trup gjykues prej një kohe relativisht të gjatë gjykon çështjet penale.

“Për këto arsye, në çmimin tonë është cenuar standardi i pavarësisë substanciale dhe formale të trupit gjykues, pasi gjyqtari jo vetëm që duhet të jetë i pavarur, por duhet edhe ta shprehë në dukje pavarësinë e tij. Në rastin konkret, kur një nga anëtarët e trupit gjykues ka hequr dorë nga gjykimi për shkak të interesit në procedim, dhe në rastin kur është dhe Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe anëtarë prej shumë kohësh i po të njëjtit trup gjykues, çmojmë se është cenuar standardi i gjyqtarit të pavarur, pasi tek organi i akuzës është krijuar perceptimi se gjyqtarët nuk janë të paanshëm në gjykimin e kësaj çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat