Dhoma Zgjedhore: raport gri mbi zgjedhjet vendore të 21 qershorit

Shqipëria

Dhoma Zgjedhore: raport gri mbi zgjedhjet vendore të 21 qershorit

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 18:23

Një grup organizatash të shoqërisë civile të mbledhura nën siglën Dhoma Zgjedhore, nënvizuan në raportin përfundimtar mbi zgjedhjet e 21 qershorit problemet që e karakterizuar fushatën dhe ditën e votimit.

Anëtarët themelues të Dhomës Zgjedhore kanë ndjekur nga afër zgjedhjet e 21 qershorit duke monitoruar situatën parazgjedhore, fushatën zgjedhore, ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave.

Ato nënvizojnë që zgjedhjet ishin të një rëndësie të veçantë sepse ishin përballja e parë elektorale, pas aprovimit të reformës administrative-territoriale që shkurtoi numrin e njësive administrative nga 373 në 61.

“Forcat kryesore politike hynë në këto zgjedhje duke tërhequr me vete mosdakortësi të forta mes partive parlamentare lidhur me ndarjen e re administrative territoriale,” u shpreh dhoma në një deklaratë për shtyp.

“Mbas daljes së rezultateve pati pretendime nga partitë politike që reforma i kishte disavantazhuar ata në rezultatin zgjedhor,” shtoi ajo.

Sipas antarëve të Dhomës sistemi zgjedhor në Shqipëri është pengues për kandidatët e pavarur dhe vendos barriera të mëdha për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Me rritjen e madhësisë të njësive administrative pengesat për pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve të pavarur janë bërë dhe më të mëdha.

“Një gjë e tillë përveçse bën të vështirë sfidimin e dy kampeve të mëdha politike, mund të prodhojë pabarazi të votës, duke bërë që vota e disa votuesve të mos ketë të njëjtën peshë përfaqësimi me votën e votuesve të tjerë,” Dhoma shprehet.

Raporti i Dhomës shprehet që informimi i publikut për kandidatët garues për këshillat bashkiake ishte në nivele minimale.

Edhe pse KQZ-ja i afishoi listat e kandidatëve në portalin e saj online, Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, KZAZ, nuk i publikuan këto lista në zonat e Administrimit Zgjedhor, ZAZ, apo pranë qendrave të votimit.

Sipas Dhomës partitë politike nuk qenë transparente në afishimin e profilit publik të kandidatëve për këshillat bashkiakë.

“Mosnjohja e anëtarëve në listat garuese për Këshillat Bashkiak vlerësohet të ketë penguar identifikimin e kandidatëve me të shkuar kriminale apo të përfolur për abuzim me pushtetin publik,” Dhoma u shpreh.

Dhoma Zgjedhore vlerëson rolin e medias në raportimin në kohë reale të procesit zgjedhor, në mënyrë të veçantë procesit të numërimit të votave; por ajo shprehet se raportimi gjatë fushatës elektorale u përqendrua në pjesën dërrmuese të rasteve tek aktivitetet kush ishin të pranishëm kryetarët e partive.

“Mediat kombëtare e ndoqën shumë pak fushatën në terren dhe në përgjithësi ato punuan me materiale të gatshme të filmuara nga vetë partitë,” Dhoma u shpreh.

“Në rastin më të mirë, ato morën thjesht sinjal nga regjitë qendrore të partive, të cilat kishin kontraktuar grupe televizive për të prodhuar dhe ofruar sinjalin televiziv,” shtoi ajo.

Sipas Dhomës Zgjedhore, edhe pse fushata e partive politike në përgjithësi pati tone pozitive, mungesa e transparencës për financimin e saj mbetet një fenomen shqetësues.

“Megjithëse fondet publike për partitë politike u shpërndanë nga buxheti i shtetit mbas përfundimit të zgjedhjeve, kjo nuk i pengoi partitë e mëdha që të zhvillonin një fushatë të cilësuar si tepër luksoze,” përfundoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat