Shtyhet seanca e radhës e imamëve, shkak Ramazani

Shqipëria

Shtyhet seanca e radhës e imamëve, shkak Ramazani

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 18:21

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vijuar edhe këtë të martë seancën në proces ndaj 9 të pandehurve të akuzuar së kanë rekrutuar luftëtare për t’i dërguar në Siri. Katër dëshmitarë u paraqitën para togave të zeza me kërkesë të Prokurorisë. Edi Halili, Artur Balla, Dionis Qevani dhe Mersin Allkoci, ishin të thirrur nga akuza por asnjëri prej tyre nuk e vuri gishtin mbi të pandehurit për të vërtetuar se ata kishin dashur t’i dërgonin në Siri.

I pari dëshmoi në gjykatë Edi Halili, i cili pohoi se kishte humbur lidhjet me të vëllanë, Erjon Halilin që në vitin 2012. Dy muaj pasi ishte larguar, Halili tha se kishte kontaktuar me vëllanë në telefon dhe i kishte thënë se ndodhej në Gjermani.

Më pas dëshmitari tregoi se kishte mësuar nëpërmjet Facebook-ut se i vëllai ishte vrarë në Siri nga një shok i tij Por dëshmitari pohoi në gjykatë se nuk njihte asnjë nga të pandehurit dhe kishte mësuar për ta vetëm në media.

Më pas para gjykatës dolën edhe tre dëshmitarët e tjerë të cilët pohuan se kishin njohje me të pandehurit por kjo për shkak të besimit. Seanca ka patur edhe momente tensioni pasi të pandehurit i kanë drejtuar pyetje dëshmitarëve duke dashur të tregojnë se ata nuk kanë kryer asnjë akt terrorist.

Madje nisur nga ky fakt gjykata ka nxjerrë jashtë të akuzuarin Bujar Hysa, gjë që solli edhe ndërprerjen e procesit gjyqësor. Seanca e radhës u la për në 21 korrik pasi gjykata mori parasysh kërkesën e të pandehurve të cilët kërkuan shtyrje për shkak të muajit të Ramazanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat