Dorëzohet memorandumi kundër ligjit për Arsimin

Shqipëria

Dorëzohet memorandumi kundër ligjit për Arsimin

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 18:15

Ashtu siç ishte paralajmëruar, një memorandum i firmosur nga më shumë se 200 pedagogë të cilët kundërshtojnë projektligjin e Arsimit të Lartë, u dorëzua sot nga përfaqësuesit e Forumit për Liri Akademike.

I pranishëm në komisionin parlamentar të Medies, shefi i departamentit të Gazetarisë në universitetin e Filologjisë, Artan Fuga theksoi se me këtë projektligji nuk respektohet autonomia.

“Ne nuk mundemi të pranojmë që buxhetet publike të shkojnë tek operatorët privatë në kushtet kur diplomat po zhvlerësohen. Dhe ato diploma në treg kanë një vlerë reale gjithnjë e më të ulët, sepse papunësia intelektuale, këtë investim të madh që bën familja shqiptare dhe që mund të bëjë buxheti i Republikës së Shqipërisë, të shkojë në prodhime diplomash që në treg nuk kanë vlerë”, tha prof. Artan Fuga.

Fuga deklaroi se duhet të ketë një ndarje të qartë mes universiteteve publike dhe atyre private, dhe se konkurrenca mes tyre është një burim i zhvillimit të mendimit shkencor në Shqipëri. Profesor Mark Marku tha se ky projektligj është autik dhe po ndihmon një grup të caktuar.

“Nuk ekziston autonomia universitare, madje, ishte një nga vërejtjet bazë që tha specialisti evropian që tha: ky ligj nuk është për universitetet, figura ‘universitet’ nuk ekziston në ligj. Ekziston figura e ministrit, drejtorëve të agjencive, kryeministrit, por është ligj jo për universitetet. Tha tekstualisht: Është një rregullore e shtetit për universitetin”, tha Marku.

Edhe dje rektori i Universitetit të Tiranës kërkoi ndryshimin e disa kapitujve të këtij ligji, veçanërisht atij për financimin, ku universitetet private dhe ato publike trajtohen në mënyrë të barabartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat