Vizita e Merkel në Tiranë, policia publikon masat e sigurisë

Shqipëria

Vizita e Merkel në Tiranë, policia publikon masat e sigurisë

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 14:27

Në kuadër të vizitës zyrtare që Kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë të mërkurën në vendin tonë, Policia e kryeqytetit ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.

Në njoftimin për shtyp, Drejtoria e Policisë së Tiranës bën të ditur se në disa segmente rrugore do ketë bllokime të qarkullimit të mjeteve dhe kufizime duke nisur nga ora 10.30 e paradites.

Sipas policisë, nga ora 10.30-14.30 nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga Rinasi për në Kashar (sensi tjeter do vazhdojë normalisht) ndërsa nga ora 13.30-14. 30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi Kamëz dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.

Më tej sqarohet se bllokim do të ketë edhe në segmentin rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga e “Durrësit” ndërsa në segmentin rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza” , rrugët lidhëse me to nuk do të lejohet parkimi i mjeteve si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, që në këtë ditë nga ora 12. 00 deri në orën 19.00, të shmangin qarkullimin me mjet në këto akse rrugore.

Këshillohen qytetarët të evitojnë lëvizjen me mjete në këto rrugë, ose të përdorin rrugën e vjetër Ndroq. Kërkojmë mire kuptimin e medias dhe ndihmën e saj në sensibilizimin e komunitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat