Në prag të vizitës së Merkel, Shqipëria ka përfituar rreth 1 miliard euro në dy dekada nga investimet gjermane

Shqipëria

Në prag të vizitës së Merkel, Shqipëria ka përfituar rreth 1 miliard euro në dy dekada nga investimet gjermane

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 11:25

Në vigjilje të vizitës se kancelares gjermane në Shqipëri, Angela Merkel, autortitetet e larta nxituan të shtrojnë udhën e pritjes, në kahun ku vizita do të dominojë më shumë.


Tashmë që është zbuluar se teme e rendësishme e bisedimeve do të jenë çështjet ekonomike, është krejt e kuptueshme se pse Kryeministri dhe kryetari i ri i Bashkisë nxituan të promovojnë me ceremoni pompoze disa investime gjermane në vend.


I pari një sipërmarrje gjigande gjermane,Tirana Biznes Park, në afërsi te aeroportit të Rinasit.


Rama: “Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë që duhen pak minuta nga Tirana për të ardhur në Gjermani. Faleminderit që na keni sjellë një copë Gjermanie, në Vorë!”


Por Rama natyrisht ishte krejt i qartë dhe e dinte se rruga e këtij investimi 100 milionësh, që i kishte shkurtuar rrugën atij dhe mjaft të tjerëve për në Gjermani, kishte qenë e gjatë dhe e mundimshme, por shfrytëzoi rastin të përjashtojë qeverinë e tij nga libri i barsaletave që kishte vendosur investitori të shkruajë mbi peripecitë.


Rama: “Unë i mora leje Ambasadorit nëse mund ta thosha dhe pasi mora leje nga Ambasadori gjerman që kjo është e vërtetë, po e them me shumë kënaqësi, – që në atë librin e barsaletave që zoti.Ulmer tha se mund të shkruhej me gjithë aventurën shumëvjeçare të kësaj sipërmarrje në labirintet e burokracisë, qeveria shqiptare nuk është pjesë e barsaletave. Pra, ne kemi bërë gjithçka kemi mundur që ta ndihmojmë kompaninë të zgjidhë të gjitha nyjet, të cilat ishin bërë pengesë për të realizuar fillimin dhe vazhdimin normal të këtij investimi”.


Një javë shumë e rëndësishme ajo që lamë pas për të evidentuar raportet tregtare mes Shqiperise dhe Gjermanisë.


Një ditë pas përurimit të biznesit familjar Tirana Biznes Park u përurua edhe hapja e degës shqiptare të kompanisë “Forschner”, një nga emrat më seriozë gjermanë në fushën e prodhimit të pajisjeve elektrike, e cila do të punësojë deri në 1 mijë punëtorë.


Por a mund te zbehin inagurimet e minutës së fundit shqetësimet dhe mundimet disa vjeçare të biznesit gjerman në Shqipëri?


Një prej tyre u pasqyrua pak kohë më parë edhe në një të perditshme gjermane që shkruante: “Një ndermjetës gjerman nuk pranon të paguajë rushfet, skelën e tij në portin e Durrësit e ka zënë një kompani tjetër. Si është e mundur që kjo të ndodhë në një vend si Shqipëria që pret të aderojë në BE?”


Dhe menjëherë pas këtij shqetësimi si dhe në prag të vizitës së Kancelares gjermane në Shqipëri, mosmarrëveshjet duheshin sheshuar dhe autoritetet e Portit të Durrësit nisën bisedimet me kompaninë gjermane EMS për të gjetur një zgjidhje.


Gazment Shalsi: “Kjo është një akuzë shumë e rëndë dhe në kundërshtim me të gjithë ecurinë e kësaj ngjarje, ku ne si APD dhe unë personalisht kemi bashkëpunuar shumë si me kompaninë EMS, si me stivadorë për të sheshuar këto mosmarrëveshje. Pas dy-tre ditësh vjen dhe një letër zyrtare nga ana e zotit. Myler ku thotë as ju dhe as Ministri nuk më keni kërkuar ndonjëherë asnjë ryshfet”.


Mund të krijojmë shumë histori pozitive suksesi në marrëdhëniet midis sipërmarrjes dhe administratës së shtetit shqiptar. Por ka gjithmonë një por..


Rama: “Mjafton një histori negative, për të përmbysur një punë të tërë dhe për ta kthyer në zero të gjithë përpjekjen për të pasur një imazh si ai që na duhet, që të kemi sa më shumë gjermanë në Shqipëri dhe sigurisht investitorë të tjerë”.


Por a mund të zhbehen vetëm në një javë dhe me dy ceremoni përuruese shqetësimet e thella prej vitesh të komunitetit të investitorëve gjermanë në Shqipëri.


E megjithatë qeveria shqiptare në prag të vizitës së Merkelit nxiton ta përmirësojë imazhin, duke publikuar shifra në rritje të raporteve tregtare me Gjermaninë për vitin 2014, që gjithsesi nuk e ngrenë atë nga vendi i 5-të i shkëmbimeve tregtare pas Italisë, Greqisë, Truqisë dhe Kinës.


Ajo është e kujdesshme për të nënvizuar se gjatë vitit 2014, pra pas ardhjes në qeverisje të së majtës, ndërrmarrjet e përbashkëta shqiptaro-gjermane që operojnë në vend janë rritur me 20%, po ashtu edhe volumi tregtar me 29%.


Por ka gjithmonë një sy të ftohtë gjermani. Deklarata e ambasadorit gjerman, Helmut Hoffman, vjen e fortë në një tryezë ku po flitej për çështjet e drejtësisë në Durrës të mërkurën e javës që shkoi.


Hoffman: “Unë takoj sipërmarrës të mëdhenj gjerman në Shqipëri që më flasin për korrupsion.Kjo pengon investimet e medha, nuk kanë garanci për investimet e tyre dhe në shumë raste shprehen të gatshëm për tu tërhequr nga vendi”.


Rama: “Nuk është e lehtë të kesh mik Ambasadorin e Gjermanisë, sepse këta shikojnë çdo defekt dhe për këta kur ka një defekt, ka gjithmonë një dramë që duhet të marrë fund sado i vogël të jetë defekti. Kjo e ka bërë Gjermaninë, Gjermani, dhe sportiviteti me defektet e kanë bërë Shqipërinë, Shqipëri”.


Dhe defektet e vogla shoqëruan deri në minutën e fundit ngjarjet e mëdha, siç ishte ajo e nënshkrimit të 6 marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë të hënën e kësaj jave.


Cani: “Sot pra sapo firmosëm 6 marrëveshje të reja për një shumë prej 107.5 milion euro”.


Hoffman:“Sapo nënshkruam 6 marrëveshje të bashkëpunimit financiar, me një volum financiar prej 118 milion eurove, nëse jam i saktë me shifrën”.


Dhe natyrisht në fund rezultoi e saktë shifra e Ambasadorit gjerman.


Por përtej humorit Edi Rama është i vetëdijshëm mbi rëndësinë e padiskutueshme të investimeve gjermane në Shqiperi, aq sa fjalisë që ka thënë përkrah kancelares Merkel gjatë vizitës së tij në Berlin një vit më parë, nuk i heq asnjë presje edhe pas një viti, në ceremoninë e përurimit të investimit gjerman Tirana Biznes Park javës që shkoi.


Rama:“Investimet gjermane nuk sjellin vetëm para, nuk sjellin vetëm punësim, nuk sjellin vetëm rritje ekonomike, por sjellin një kulturë të të bërit biznes dhe një kulturë të bërit biznes dhe një kulturë të punuarit për të cilën ne kemi shumë nevojë”.


Dhe në fund ka vend për një falenderim, ndjesë dhe një premtim të veshur me humor dhe sportivitet, përballë investitorëve gjermane.


Rama: “Shumë faleminderit me shumë mirënjohje dhe ndjesë për gjithë aventurën e gjatë që iu është dashur të përjetoni për të ardhur deri këtu.Por një këshillë si shqiptar, në fundit të fundit mos e merrni kaq seriozisht jetën, gëzoni pjesën që u bë dhe qeshni me pjesën ku hoqët gjithë ato mundime. Ato janë pas, përpara më e mira do të vijë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat