Murgesha çeke që jeton në Shkodër: Vrasja nuk ka komb, më habiti reagimi i shqiptarëve

Shqipëria

Murgesha çeke që jeton në Shkodër: Vrasja nuk ka komb, më habiti reagimi i shqiptarëve

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 10:22

Michaela Kubickova është një murgeshë çeke, e cila jeton në Shkodër.

Një status i saj në FB pas ngjarjes së rëndë në Prekal u përcoll thuajse në të gjitha mediat.

Edhe ajo, njësoj si çekët e tjerë, mendojnë se vrasja e dy turistëve është një ngjarje e izoluar.

“Në çdo vend të botës, fatkeqësisht, ka persona që veprojnë keq. Ata nuk kanë lidhje me kombin. Të keqen nuk e bën njeri sepse është shqiptar apo çek, por ai njeri që nuk di të jetojë mirë mes njerëzimit,” thotë ajo për gazetën Dita.

“Të them të drejtën më ka habit ky reagim kaq i ndjeshëm dhe fisnik i popullit shqiptar, jo që nuk ia njoh këto vlera, por nuk besova që do të reagonit në mënyrë kaq të dukshme. E di që populli juaj e njeh dhimbjen e paragjykimeve nga të huajt. E di që kjo ngjarje mund të shkaktojë një paragjykim të ri. Dhe për këtë më vjen sinqerisht keq. Për këtë jam duke kërkuar të flas edhe në Çeki e të tregoj sa të prekur ndjeheni nga kjo ngjarje”.

E pyetur se cilët zakone të shqiptarëve i bëjnë më shumë përshtypje, ajo thotë: “Ajo që më duket shumë e bukur është tradita e besës. Besa, e cila nuk ka nevojë të nënshkruhet në ndonjë kontratë sepse jepet, është dhe pikë. Mikpritja juaj është vërtetë e denjë e admirimit. Më kujtohet dreka mbretërore në zonën e Shllakut. Në fund vura re që zonja e shtëpisë po hante lakna të zeza. Kuptova që për drekën tonë ka shku në tërë fshatin duke kërkuar borxh ushqimin, vetëm që ne të mos na mungojë asgjë”.

E pyetur se përse vijnë kaq shumë çekë këtu, ajo thotë: “Na pëlqejnë malet. Na pëlqejnë malet e paprekura. Kemi zakon të ecim në këmbë. Të shijojmë natyrën, ta sfidojmë, të flemë në natyrë. Nuk kërkojmë hotele, na mjafton një copë tokë dhe mundësisht ndonjë kron me ujë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat