Klosi prezanton 6 prioritetet: Zyrat e Punës, jo thjesht zyra pritëse

Shqipëria

Klosi prezanton 6 prioritetet: Zyrat e Punës, jo thjesht zyra pritëse

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 08:29

Ministri i MSR-së, Blendi Klosi ka prezantuar dje 6 prioritetet kryesore të punës së tij si ministër, të cilat përbëjnë 120 probleme që duhen zgjidhur. Ai është shprehur se hapja e 300 vendeve të punës mbetet objektiv që duhet arritur.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka prezantuar dje prioritetet, sfidat dhe angazhimet e mëtejshme që do të ketë ky institucion nën drejtimin e tij. Në prani edhe të përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, donatorëve që kontribuojnë në fushën e çështjeve sociale, deputetë, ministra e përfaqësues të biznesit, Klosi ka renditur në prezantimin e tij 6 prioritete kryesore që përfshijnë çështje si puna, mbrojtja sociale, sigurimet shoqërore, përfshirja sociale, rinia dhe reforma institucionale-territoriale dhe që ka lidhje direkt me përshtatjen e shërbimeve sociale me ndarjen e re territoriale.

Duke u ndalur te puna, ai theksoi se ka ardhur koha që zyrat e punës të mos jenë thjesht në rolin pritës, por të kthehen në shërbëtore të atyre që ofrojnë punë. “Ne duhet të jemi shërbëtorë të drejtpërdrejtë të biznesit”, – tha Klosi në fjalën e tij. Më tej ai ka theksuar se në këto dy vite të para është bërë e mundur hapja e afro 120 mijë vendeve të reja të punës, ndërsa për të realizuar programin qeveritar për punësimin e 300 mijë vetave, ai ka theksuar se është e domosdoshme që arsimi profesional të marrë mbështetjen e duhur, në mënyrë që ai të ofrojë një mundësi më shumë për çdo të ri që kërkon një zanat dhe një punë të sigurt.

“Por objektivi im kryesor në një nga ato çfarë do mund të bëj dhe që do jetë objektivi kryesor i punës sime është: të rikthejmë arsimin profesional nga një sistem ku nxënësit shkojnë me një mundësi më pak, në një sistem ku nxënësit shkojnë për një aftësi më shumë”, – tha Klosi. Duke u ndalur te një pikë tjetër e prioriteteve të tij, Klosi ka vlerësuar punën e bërë deri më tani duke targetuar mbrojtjen sociale te grupet apo individët që kanë realisht nevojë për të, por ka theksuar se është e nevojshme që sistemi i mbrojtjes sociale duhet të kthehet në një sistem të integrimit në punë të atyre që janë sot në nevojë. “Duhet padyshim që të futemi në një sistem të ri, ajo që është mirë le të vazhdojë, por kthimin e sistemit të mbrojtjes sociale nga një sistem të mbrojtjes ekonomike në një sistem të integrimit nëpërmjet punës”, – tha Klosi.

Një tjetër prioritet i punës së tij si ministër do jetë edhe puna me sigurimet shoqërore, për të cilat tha se reforma e nisur duhet të vijojë më tej për ta shëndoshur sistemin edhe me burime skema dytësore kontributesh. “Rritja e transparencës do të jetë objektivi ynë i madh dhe rritja e kontributeve me skemat dytësore apo kontribute alternative do të jetë një nga prioritetet tona të mëdha”, – u shpreh ministri Klosi. Po ashtu, një tjetër çështje që do jetë në vëmendjen e MMSR-së, sipas Klosit do jenë dhe të përndjekurit. “Kjo gjithëpërfshirje e ministrisë që unë drejtoj, padyshim do të shkojë edhe për të përndjekurit politikë, tek ajo shtresë që ka marrë një mbështetje shumë të madhe në këto vite sa i përket kontributit financiar, por që s’mund të ngelet këtu nëse ne nuk ngremë institucionet e kujtesës.

Ky do jetë një prioritet tjetër i ministrisë për dyvjeçarin që do vijë”, – u shpreh më tej Klosi. Në objektivat kryesorë të kësaj ministrie dhe që sipas Klosit përbën një sfidë për dikasterin që ai drejton, është përshtatja e kompetencave të institucioneve që merren dhe trajtojnë çështjet sociale me ndarjen e re territoriale. “E fundit është reforma e re, reforma institucionale-territoriale, reformë e cila shtrihet jo vetëm në kuadër të decentralizimit, jo vetëm në kuadër të transformimit të 61 bashkive të reja, të cilat nga ministria jonë duhet të marrin një udhëzim shumë më të fortë për sa i përket mbrojtjes sociale, të transformimit të disa prej aktiviteteve që sot i bën shteti për t’ia kaluar pushtetit lokal”, – u shpreh ministri Klosi. Në total ai ka theksuar se këto 6 prioritete përbëjnë 120 probleme, për të cilat u angazhua t’i zgjidhë në 720 ditët e ardhshme deri në zgjedhjet parlamentare të 2017. Ai gjithashtu tha se për të gjitha këto probleme është hartuar një matricë, e cila përllogarit të gjitha detyrat për çdo sektor dhe drejtori, kohën dhe aktorët me të cilët duhet të bashkëpunohet për zgjidhjen e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat