Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë i quan serbët shovinistë (Video)

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë i quan serbët shovinistë (Video)

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 19:20

Zv. Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi ka marrë pjesë në një veprimtari sot në fshatin Murth, pranë Qafë-Mollës në Tiranë, ku u ngrit një lapidar në kujtim të viktimave të luftës Ballkanike më 1913 nga kjo zonë.

Në deklaratën e saj, MM shkruante se “Në qershor të vitit 1913, forcat shoviniste serbe, pas masakrave që bënë në krahinën e Dibrës, vranë dhe masakruan 18 burra dhe gra të fshatit Murth në afërsi të Qafë-Mollës të Tiranës dhe zonës përreth.

Në përkujtim të këtyre viktimave të pafajshme, në një vend të përzgjedhur në afërsi të fshatit Murth dhe me kontributin e familjeve të të vrarëve, këto ditë u ngrit një memorial përkujtimor. Në ditën e përurimit të memorialit ishte i pranishëm zëvëndësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, drejtues të pushtetit vendor të zonës së Shëngjergjit të Tiranës, përfaqësues të viktimave dhe banorë të fshatit Murth”.

Pa vënë në diskutim aktin barbar të përpara një shekulli, termi “shovinist” përveçse ka konotacion komunist, mbase duhej të ishte shmangur në momentin kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke u përmirësuar.

Ndoshta do të ishte mirë që Ministria e Mbrojtjes të këshillohej me atë të Jashtme, kur trajton në deklaratat e saj marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat