6 prioritetet e ministrit të Mirëqenies Sociale

Shqipëria

6 prioritetet e ministrit të Mirëqenies Sociale

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 19:02

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi prezantoi sot sfidat dhe angazhimet e mëtejshme që do të ndjekë institucioni që ai drejton.

Në prani të përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, dhe donatorëve që kontribuojnë në fushën e çështjeve sociale, deputetë, ministra e përfaqësues të biznesit, Klosi renditi në prezantimin e tij 6 prioritete kryesore.

Puna, mbrojtja sociale, sigurimet shoqërore, përfshirja sociale, rinia dhe reforma institucionale-territoriale dhe që ka lidhje direkt me përshtatjen e shërbimeve sociale me ndarjen e re territoriale, do të jenë vëmendja kryesore e ministrit të ri të Mirëqenies Sociale.

Duke u ndalur te puna, ministri theksoi se ka ardhur koha që zyrat e punës të mos jenë thjesht në rolin pritës, por të kthehen në shërbëtore të atyre që ofrojnë punë.

“Ne duhet të jemi shërbëtorë të drejtpërdrejtë të biznesit”, - tha Klosi në fjalën e tij. Më tej ai ka theksuar se për të realizuar programin qeveritar për punësimin është e domosdoshme që arsimi profesional të marrë mbështetjen e duhur, në mënyrë që ai të ofrojë një mundësi më shumë për çdo të ri që kërkon një zanat dhe një punë të sigurt. “Por objektivi im kryesor në një nga ato çfarë do mund të bëj dhe që do jetë objektivi kryesor i punës sime është: të rikthejmë arsimin profesional nga një sistem ku nxënësit shkojnë me një mundësi më pak, në një sistem ku nxënësit shkojnë për një aftësi më shumë”, - tha Klosi.

Me tutje, gjatë prezantimit të tij, ministri Klosi vlerësoi punën e bërë deri më tani duke targetuar mbrojtjen sociale te grupet apo individët që kanë realisht nevojë për të, por theksoi se është e nevojshme që sistemi i mbrojtjes sociale të kthehet në një sistem të integrimit në punë të atyre që janë sot në nevojë.

“Duhet padyshim që të futemi në një sistem të ri, ajo që është mirë le të vazhdojë, por kthimin e sistemit të mbrojtjes sociale nga një sistem të mbrojtjes ekonomike në një sistem të integrimit nëpërmjet punës”, tha Klosi.

Një tjetër prioritet i punës së tij si ministër do jetë edhe puna me sigurimet shoqërore, për të cilat tha se reforma e nisur duhet të vijojë më tej për ta shëndoshur sistemin edhe me burime skema dytësore kontributesh.

“Rritja e transparencës do të jetë objektivi ynë i madh dhe rritja e kontributeve me skemat dytësore apo kontribute alternative do të jetë një nga prioritetet tona të mëdha, u shpreh ministri Klosi.

Ai gjithashtu tha se për të gjitha këto probleme është hartuar një matricë, e cila përllogarit të gjitha detyrat për çdo sektor dhe drejtori, kohën dhe aktorët me të cilët duhet të bashkëpunohet për zgjidhjen e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat