UT kundër Ligjit për Arsimin e Lartë

Shqipëria

UT kundër Ligjit për Arsimin e Lartë

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 17:46

Dy ditë pas mbrojtjes që i bëri kryeministri Edi Rama draftit të Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, drejtues të Universitetit të Tiranës dhe Këshilli Studentor u shprehën kundër disa kapitujve të tij, veçanërisht atij për financimin, ku universitetet private dhe ato publike trajtohen në mënyrë të barabartë.

Rektori Dhori Kule u shpreh ky ligj është antikushtetues, pasi Kushtetuta u jep universiteteve autonomi dhe jo pavarësi.

“Nëse do bëhet pjesë e ligjit ky lloj institucioni, që e ka eminent riskun për ta kthyer të mirën publike në private, atëherë arsimi i lartë do ketë pasoja shumë të mëdha” deklaroi rektori Dhori Kule.

Rektori i Universitetit të Tiranës kundërshtoi dhe transferimet e studimeve brenda të njëjtit cikël në fusha studimi të njëjta ose të përafërta brenda dhe jashtë një institucioni arsimor. Universiteti i Tiranës, shfaqi rezerva edhe për kapitullin e autonomisë ku agjencitë e krijuara nga qeveria marrin kompetenca të mëdha në kontrollin e universitetit.

Ndërsa profesorët theksuan se me buxhetin e shtetit nuk arrihet që të paguhen as stafet akademike, pagat e të cilëve janë më të ulëta se kolegët e tyre në Kosovë.

Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj tha se “sikurse më parë, edhe qeverisja aktuale nuk përmbush dot as sistemin e pagave në universitete dhe universitetet prej 3-4 vitesh marrin nga fondet e kushtëzuara për të plotësuar nevojën e pagave. Nëse edhe në këtë pak fond që jepet nga shteti futen aktorë të tjerë, atëherë ne ngremë kështjella të bukura, por kështjella prej rëre sepse janë jashtë realitetit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat