Rama me të zgjedhurit vendorë: Nuk i ndajmë bashkitë në të kuqe dhe blu

Shqipëria

Rama me të zgjedhurit vendorë: Nuk i ndajmë bashkitë në të kuqe dhe blu

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 14:10

Kryeministri Edi Rama garantoi të hënën se qeveria nuk i ndan bashkitë në të kuqe dhe blu, por të gjitha bashkitë i konsideron si njësitë e reja ekonomike të zhvillimit urban, social dhe ekonomik të territorit të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri garantoi se “Qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjitha bashkitë e vendit”.

Gjatë takimit të zhvilluar në kryeministri me të zgjedhurit vendorë, ku kryesisht mungonin kryebashkiakët e djathtë, Kryeministri Rama shprehu keqardhjen për këtë mungesë që sipas tij, është “një dëm i drejtëpërdrejtë për punën e tyre dhe për shërbimin ndaj komunitetit”.

Në këtë drejtim, Kryeministri gjeti rastin të përshëndesë praninë në këtë takim të kryebashkiakut të Përmetit Niko Shupuli (APPD) dhe atij të Dropullit, Ahilea Deçka (APPD).

“Ndiej keqardhje që pjesa tjetër nuk ka hipur mbi lartësinë e atij mesazhi të famshëm të fushatës elektorale ‘kam frikë se më shohin’, por po ashtu jam i keqardhur sepse ky është një takim me rëndësi të posaçme dhe mungesa e disa kryebashkiakëve është një dëm i drejtëpërdrejtë për punën e tyre dhe për shërbimin ndaj komunitetit”, tha Rama.

Kryeministri uroi që kryebashkiakët e djathtë të dalin sa më parë nga guacka mbytëse e politikës qorre të partisë së tyre dhe të vihen një orë e më parë në shërbim të komuniteteve, duke kuptuar se janë kryetarë të të gjithë zgjedhësve.

Ai shtoi se “jemi në kushte të jashtëzakonshme dhe nuk jemi në kushte normale, pasi puna fillon me një barrë të madhe përgjegjësie dhe me domosdoshmërinë për të harmonizuar një sërë hapash në funksion të një tranzicioni jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe aspak të lehtë të kalimit nga njësitë e vjetra administrative në 61 njësitë e reja”.

Duke e cilësuar konsolidimin e njësive të reja administrative një sfidë të jashtëzakonshme, Kryeministri Rama u shpreh se “do të përballemi me një numër të madh problematikash që kërkojnë një vizion dhe program të qartë dhe një lidership të vendosur në nivelin vendor, por pa diskutim edhe mbështetjen e plotë të qeverisë”.

“Qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjitha bashkitë e vendit dhe të gjithë kryetarët e bashkive që do të kenë vullnetin dhe dëshirën që të bashkëpunojnë me qeverinë. Ne nuk do të lutemi për bashkëpunim sepse ne besojmë që është e drejta e zgjedhjes së çdonjërit prej jush që të synojë bashkëpunimin me qeverinë, ose ta refuzojë atë. Por, ne jemi këtu të gatshëm që të bashkëpunojmë me çdonjërin që kërkon këtë bashkëpunim dhe mbështetje, pa asnjë dallim politik dhe partiak”, tha Rama.

Ne do të bashkëpunojmë me këdo, shtoi Kryeministri, por me kushtin që bashkëpunimi të bazohet në reciprocitet dhe që t’i shërbejë komuniteteve që ju kanë zgjedhur. “Ne nuk do të lëmë pas askënd, por cilido që do të marri rrugën e marrjes peng të komunitetit për arsye politike, duhet ta mbajë këtë përgjegjësi para komunitetit të vetë. Ne nuk do të humbim kohë duke u futur në llogore politike dhe duke bërë politikë me nevojat e komuniteteve”, shtoi Rama.

Sipas tij, “fillimi i zbatimit të reformës administrative-territoriale është sfida më e madhe në jetën tonë politike, sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me një proces historik transformimi të shtetit shqiptar”. “Riorganizimi nga themelet i shtetit kërkon një pasion të madh, vizion të qartë dhe administrata të afta për ta realizuar vizionin. Padyshim që kërkon edhe një lidership kurajoz dhe inovativ. Këtu ka jo pak kryetarë bashkish të rizgjedhur dhe unë besoj se edhe për ta është fare e qartë që ajo që fillon pas 21 qershorit është diçka krejt tjetër nga ajo deri tani”, tha Rama.

Ai shtoi se kjo reformë është një sfidë shumë komplekse dhe shumë dimensionale, pasi jemi në kushtet kur merr realisht kuptim nocioni i qeverisjes vendore.

Kryeministri renditi një sërë sektorësh në të cilët kërkohet ndërhyrje emergjente dhe rrënjësore. “Duke filluar nga sistemi ynë kombëtar i ujësjellësave që është një katastrofë, që ne duam t’i japim fund në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë. Reforma e ujit është një reformë rrënjësore që ndër të tjera do të synojë aplikimin e drejtpërdrejtë të kompetencës së mirëadministrimit të ujit të pijshëm dhe të sistemeve të pastrimit të ujërave dhe kullimit në duart e kryetarëve të bashkive”, shtoi ai.

Çdo bashki, vijoi Rama, do të bëhet pronare e vetme e sistemit të vet të furnizimit me ujë të pijshëm, garantimit të ujit për vaditje dhe pastrimin e ujrave dhe kullimin.

Rama shtoi se kemi trashëguar një sektor të prapambetur të mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave, ndaj u takon bashkive ta marrin përsipër administrimin e këtij sektori.

Transporti, sipas tij, është një tjetër sektor ku kërkohet ndërhyrje, në mënyrë që në çdo njësi të re, qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në qendër të bashkisë së re apo në fshat, të kenë një transport urban dinjitoz.

“Jemi duke studiuar edhe përfshirjen e bashkive të reja drejtpërdrejt në çështjet e rendit publik. Këtu ka ardhur koha për një reformë të guximshme që duhet të çojë në shkrirjen e policisë bashkiake dhe në dhënien e kompetencave kryetarëve të bashkive për të nxjerrë urdhra administrativ ndaj strukturave të policisë së shtetit, që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë. Është një reformë realisht shumë rrënjësore, por ne besojmë se është e domosdoshme për t’i dhënë kryetarëve të bashkive një forcë që nuk e kanë pasur deri më sot në raport me domosdoshmërinë për të siguruar rend, por edhe për të qenë krah për krah me qeverinë për frenimin përfundimtar të ndërtimeve të paligjshme dhe çdo përpjekje që dëmton infrastrukturën në Shqipëri”, shtoi ai.

Kryeministri shtoi se qeveria do t’i japë gjithashtu bashkive një mundësi të re për të pasur një raport të ri me pronën dhe për të qenë edhe ato mekanizma të thithjes së investimeve direkte në territoret e administruara prej tyre.

“Do të ndërtojmë një sistem të ri që do t’u japë bashkive të reja më tepër përgjegjësi por edhe instrumentat e nevojshëm që së bashku të mbyllim në një kohë sa më të shpejtë problemin e mungesës së titujve të pronësisë në fshat. Jemi po ashtu duke punuar lidhur me kadastrën, sepse besojmë se është e domosdoshme të ketë një ndërveprim lidhur me pronësinë në tërësi dhe me gjithçka që ka të bëjë me territorin. Sigurisht që nuk do të bëjmë në asnjë rast shpikje ‘alla shqiptarçe’, por do të shohim praktikat më të mira, sepse duam që bashkitë të jenë aleate të qeverisë për të luftuar korrupsionin në hipoteka”, tha Rama.

Duke u ndalur te aspekti financiar, Kryeministri u shpreh se “do të diskutohet në vijim edhe për mënyrën se si do të shikojmë gjithë sistemin tonë fiskal si një sistem të përbashkët dhe do të shohim mundësinë të fillojmë praktikën e taksave të ndara që edhe bashkitë të kenë akses në të ardhura. Deri më sot, shtoi ai, nuk kanë patur asnjë akses edhe pse kanë pasur kontribut të drejtpërdrejtë.

Kryeministri theksoi se këto janë çështje jetike që nuk janë adresuar më parë, dhe në këtë drejtim ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të administratave që dinë t’i përgjigjen kësaj sfide. “Në të kundërt gjithë kjo peshë e re na kthehet në një barrë mbytëse jo thjesht për ju, por për të gjithë Shqipërinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat