Rektori i Universitetit të Vlorës e denoncon, agresori mohon akuzat

Shqipëria

Rektori i Universitetit të Vlorës e denoncon, agresori mohon akuzat

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 13:45

Rektori i Universitetit të Vlorës, Albert Qarri, është goditur me grusht nga një person i cili e kërcënonte prej kohësh, e madje sipas tij më herët i ka djegur edhe makinën.

Ngjarja ka ndodhur ndërsa rektori i “Ismail Qemalit” ndodhej në hollin e teatrit “Petro Marko” në qytetin bregdetar, në pritje të presidenti Bujar Nishani për një aktivitet që do mbahej aty.

Rektori Qarri ka shpjeguar ngjarjen në një prononcim për “A1 Report”: “Isha i ftuar në një ceremoni në Teatrin ‘Petro Marko’. Ishim duke pritur presidentin. Isha te personat që prisnin në hollin e teatrit së bashku me disa vlonjatë të tjerë. Mbas shpinës sime një person që më shan dhe më fyen rëndë, më godet pas shpine me grusht dhe u largua.

Ishte Kujtim Cakrani, që prej ditësh më ka kërcënuar familjarisht, verbalisht duke përdorur shpifje, njerëz të ndryshëm që më kanë kërcënuar deri në djegien e makinave të mia për shkak të detyrës dhe punës sime rigoroze. Është njeri me precedentë që është dënuar nga Italia për trafik droge e që ka ndryshuar emrin. Ka mundur të ndjekë studimet në universitete fantazmë që u mbyllën tashmë dhe ushtron detyrën e avokatit. Unë kam marrë një goditje si institucion.

Nuk munden dot këta njerëz të inkriminuar... nuk mundem dot të flas më, ky është një rast i paprecedentë. Disponoj mesazhe në telefonin tim, kërcënime në ambiente publike nga vetë ai dhe njerëz të tij. E kam denoncuar në polici që kur janë djegur makinat, është i dyshuari kryesor. Ky persona ka gruan pedagoge në universitet, ka krijuar problematika të njëpasnjëshme për një periudhë të gjatë kohe, ka dhunuar institucionin”.

Por ndërkohë këto akuza janë hedhur poshtë nga avokati Cakrani, i cili po për “A1 Report” mohoi të ketë qenë ai personi që e ka qëlluar rektorin Qarri.

Goditet me grusht rektori i Universitetit të Vlorës

Rektori i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Albert Qarri, është goditur sot me grusht nga një person në qytetin bregdetar.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një aktiviteti në sallën e teatrit “Petro Marko”, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Republikës.

Agresori është identifikuar si Kujtim Cakrani, i cili mësohet se e ka ofenduar dhe e ka goditur me grusht në fytyrë drejtuesin e universitetit.

Cakrani fillimisht u neutralizua e më pas u la i lirë nga Garda, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim.

Rektori Qarri ka bërë të ditur se do të bëjë kallëzim ndaj autorit të sulmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat