Bashkiakët e PD refuzojnë Ramën, kryeministri takohet sot vetëm me 46 të zgjedhurit lokalë të shumicës

Shqipëria

Bashkiakët e PD refuzojnë Ramën, kryeministri takohet sot vetëm me 46 të zgjedhurit lokalë të shumicës

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 10:19

Kryeministri Rama ka thirrur sot në takim 61 kryebashkiakët e rinj të zgjedhur më 21 qershor, por në të do të mungojnë të zgjedhurit e opozitës. Takimi do të zhvillohet në Kryeministri në orën 12:00, ndërkohë që pritet të marrin pjesë vetëm 46 bashkiakët e mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, duke përfshirë këtu dhe fituesin e Bashkisë së Finiqit të mbështetur nga MEGA.

Të djathtët, të cilët fituan 15 bashki nuk do të marrin pjesë në këtë takim. Mësohet se Kryeministri Rama do t’u dorëzojë drejtuesve të rinj të bashkive dosjen e plotë të punës së tyre, mbi të cilën do të mbështeten deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të reformës së re territoriale.

Dosja përmban dhe manualin e përgatitur nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale. Ky Manual udhëzon të sapozgjedhurit vendorë se çfarë do të bëjnë me detyrën e tyre për një periudhë 6­mujore deri në nxjerrjen e akteve nënligjore duke synuar garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike në nivel vendor, në kuadër të zbatimit të reformës administrativoterritoriale.

Në ndihmë të bashkive të reja, do të jenë dhe 12 koordinatorë në të gjitha qarqet e vendit që do të ndihmojë në funksionimin e skemës së re të ndarjes territoriale. Takimi do të zhvillohet në sallën e Hartave, ndërsa pritet që Kryeministri të mbajë një fjalë për herë të parë përpara kryebashkiakëve të rinj që prej zgjedhjes së tyre. Ai pritet që të shprehë vullnetin e qeverisë së tij për të punuar me të gjithë të zgjedhurit vendorë, pavarësisht se nga cili krah politik ata kanë ardhur./bw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat