Punimet e Kuvendit, seanca e fundit më 23 korrik

Shqipëria

Punimet e Kuvendit, seanca e fundit më 23 korrik

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:37

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mbyllë punimet në 23 korrik. Axhenda parlamentare e miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës parashikon që seanca e fundit plenare të jetë në 23 korrik. Deri në këtë datë pritet të kalojnë disa ligje të rëndësishme që janë pjesë e reformave të qeverisë siç është ai për arsimin e lartë, një nga draftet më të debatuara dhe më të diskutuara deri tani. Kalendari i punimeve të kuvendit i miratuar me konsensusin e mazhorancës dhe të opozitës në seancën plenare të 2 korrikut parashikon që ky projektligj të votohet nga deputetët në seancën e 16 korrikut.

Një tjetër ligj i rëndësishëm që është lënë për votim po në këtë seancë është ai “Për turizmin” por edhe ndryshimet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Ndërkohë që këtë të enjte ligjvënësit do të votojnë disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”, në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” por edhe në ligjin “Për mediat audiovizive në RSH”.

Pjesë e axhendës parlamentare të kësaj date është edhe projektligji “Për miratimin e Strategjisë Ushtarake te Republikës së Shqipërisë”. Seanca e fundit plenare parashikohet të miratojë ratifikimin e plotë tetë marrëveshjesh mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë gjermane për mbështetjen e sektorit të energjisë por dhe përmirësimin e furnizimit me ujë në zonat rurale apo infrastrukturën rurale në vendin tonë. Në axhendë është edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit”.

Ndërkohë që ky sesion parlamentar do të mbyllet pa miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Para zgjedhjeve të 21 qershorit të gjitha palët ishin dakord për domosdoshmërinë e ndryshimeve në ligjin themelor që rregullon proceset zgjedhore por mungesa e konsensusit e bërë të pamundur këtë gjë. Mazhoranca qeverisëse me votat e saj mundi vetëm në ndryshonte ato nene të Kodit Zgjedhor që lidhen me reformën territoriale, pa ndryshimin e të cilave do të ishte e pamundur të zhvilloheshin zgjedhjet në 21 qershor.

Mazhoranca dhe opozita kanë dorëzuar ndërkohë në kuvend dy projektligje ku parashikohen ndryshime në Kodin Zgjedhor por pa prekur rekomandimet e ndërkombëtarëve. Fokusi i palëve ishte tek ndryshimet në kudër të procesit të dekriminalizimit por mungesa e konsensusit bëri që këto drafte të qëndrojnë në sirtarët e kuvendit. Po ashtu PD-ja dhe PS-ja i dhanë vetes kohë për të gjetur mirëkuptimin lidhur me procesin e dekriminalizimit duke e shtyrë deri në dhjetor afatin e komisionit të posaçëm parlamentar të drejtuar nga Oerd Bylykbashi.

E ndërkohë që në sesionin e ri pritet të vijojë puna e legjislativit me ndryshimet konkrete në kuadër të reformës në drejtësi, pas mbylljes së fazës së parë që përgatitjen e dokumentit analitik mbi bazën e të cilit do të përcaktohen dhe ndërhyrjet konkrete në çdo hallkë të sistemit të drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat