I dënuar për vrasje, Historia/ Ja si u lirua një muaj më parë nga burgu i Kavajës, Mjacaj (Video)

Shqipëria

I dënuar për vrasje, Historia/ Ja si u lirua një muaj më parë nga burgu i Kavajës, Mjacaj (Video)

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 21:09

Ora News i është rikthyer historisë makabre të masakrimit për vdekje të 13-vjeçarit, Agim Lera, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Pjollë të komunës Shalë në 2010 për të cilën ka qenë i dënuar si bashkëpunëtor edhe Sokol Mjacaj.
Tre të dënuarit për vrasjen dhe më pas masakrimin e Agim Leraj, trupi i të cilit u hodh në ujërat e lumit Shalë në Dukagjin janë rikthyer për gjykim në gjykatën e Apelit në Shkodër pas ankimimit nga mbrojtja.
Pasi gjykata e Apelit ka pranuar pjesërisht kërkesën për rihapjen e hetimit në ngarkim të tre të pandehurve, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për Edmond Kodrën, pra dënimin e tij me 11 vjet burg, ndryshimin e vendimit për vëllanë e tij Besnik Kodra nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burg si dhe ndryshimin e vendimit për të pandehurin Sokol Mjacaj nga 10 vite burg në 4 vjet për veprën penale të moskallëzimit të krimit dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes.
Vendimi është dhënë nën masa të forta sigurie, ndërsa jashtë mjediseve të Gjykatës së Apelit janë shoqëruar të afërmit e burgosurve pasi pati grindje mes tyre pas dhënies së vendimit.
Me çeljen e pjesshme të hetimit gjyqësor nga mbrojtja, në seancë janë paraqitur disa dëshmitarë që nuk janë pyetur gjatë proçesit gjyqësor në shkallën e parë dhe që dhanë deklaratë të vlefshme në zbardhjen e plotë të çështjes.
Gjyqësori në shkallën e parë ka vendosur fajësinë e tre të pandehurve për vrasjen në rrethana cilësuese të Agim Lerës në bashkëpunim duke e dënuar me burgim të përjetshëm Besnik Kodrën dhe 11 vjet burg Edmond Kodrën për kryerjen e vrasjes në bashkëpunim, si dhe 10 vjet burg Sokol Mjacën nën akuzën e fshehjes së krimit dhe bashkëpunimit pjesërishtn në aktin e vrasjes.
Ndaj këtij vendimi ka apeluar mbrojtja e të pandehurve, pasi vëllezërit Kodra që nga dita e arrestimit dhe deri më sot vazhdojnë të mohojnë autorësinë e kësaj vrasje.
Nga ana tjetër në dëshmitë e Sokol Mjacaj janë dhënë detaje për mënyrën sesi dy vëllezërit kanë kryer vrasjen makabre, duke e torturura dhe keqtrajtuar 13-vjeçarin, duke i përplasur kokën pas një guri dhe më pas e kanë asfiksuar deri në vdekje.
Pala gjykuese në Apel kryesohej nga gjyqtarja Marina Rraboshta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat