Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së dy turistëve çekë

Shqipëria

Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së dy turistëve çekë

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 16:10

Policia ka arrestuar të dielën të dyshuarin në lidhje me vrasjen makabre të dy turistëve çekë Michal Svato dhe Anna Kosinova. Sokol Fran Mjacaj u arrestua pasi 350 forca policie dhe FNSH-je rrethuan një zonë në fshatin Grudë në Dukagjin, aty ku fshihej 20-vjeçari i armatosur.

Mjacaj ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me pasojë vdekjen e një të mituri, në vitin 2010. U vërtetua shkencërisht përmes gjurmëve në mjetin e viktimave se Mjacaj është autor i krimit. Mjacaj konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. U lirua nga burgu para një muaji.

Gjithashtu, dyshimet janë se personi mund të ketë qenë dhe pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan helikopterin e policisë një vit më parë në Pult të Dukagjinit, gjatë operacionit antikanabis. Madje, ka dyshime se autorët ose autori është pjesë e personave që ruajnë parcela kanabisi në zonat e thella të Dukagjinit.

Dyshimet gjithashtu janë se nisur nga fakti që nuk janë marrë sende personale, mbase autorët mund të kenë tentuar të marrin fuoristradën, por kanë dështuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat