Kurbini, PD bën gati ankimimin për Kolegjin Zgjedhor

Shqipëria

Kurbini, PD bën gati ankimimin për Kolegjin Zgjedhor

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 11:33

Partia Demokratike do të ankohet në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkinë e Kurbinit. KQZ-ja vendosi dy ditë më parë të rrëzojë kërkesën e demokratëve, të cilët kërkuan pavlefshmëri të procesit në këtë bashki. Por ky vendim nuk është aspak i mirëpritur nga demokratët që në fillim të javës do të dorëzojnë ankimimin në Kolegj. Demokratët mendojnë se procesi zgjedhor në këtë bashki ishte i paligjshëm, ndërsa janë evidentuar shkelje të shumta që nisin që nga vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Zonal të Adminsitrimit të Zgjedhjeve e deri tek puna e KZAZ-së së re e cila, sipas tyre, ka marrë vendime në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Sipas demokratëve, edhe KZAZ-ja nr. 15 nuk ka pasur kuorumin e duhur për të marrë vendime pasi një anëtare kishte lidhje familjare me një prej kandidatëve për këshillin bashkiak, ndërsa kryetari i emëruar nga KQZ-ja në këtë KZAZ rezulton të jetë një prej figurave që ishte pjesë e shtabit elektoral të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Kurbinin. Nga ana tjetër Partia Demokratike e Kurbinit i është drejtuar prokurorisë së rrethit me një kallëzim për paligjshmërinë e vendimeve të KZAZ-së nr. 15 si dhe për parregullsitë e procesit duke kërkuar dënimin përkatës për komisionerët që shkelën ligjin zgjedhor gjatë procesit.

Vendimi i KQZ-së kundër ankimimit të demokratëve erdhi pas debateve të gjatë mes anëtarëve. Anëtarët e opozitës në KQZ pretendonin se nuk ka pasur zgjedhje në këtë bashki më 21 qershor e për këtë arsye kërkuan që të konsiderohen zgjedhjet e pavlefshme. Ndërsa anëtarët e propozuar nga e majta në KQZ, e konsideruan të pavlefshme këtë kërkesë. Kryetarja Lefteri Luzi tha se nëse ka parregullsi në këtë proces në bazë të kallëzimit le të vendosë prokuroria për komisionerët që kanë shkelur ligjin. Duke u pozicionuar kështu kundër kërkesës së PD-së e cila u rrëzua me katër vota kundër dhe tre vota pro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat