Energjia, nis ndërtimi i nënstacionit në Çorovodë

Shqipëria

Energjia, nis ndërtimi i nënstacionit në Çorovodë

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 11:01

Në kuadër të investimeve në sektorin energjitik, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nisi punën për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/35/10 kV në afërsi të qytetit të Çorovodës. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri inspektoi nisjen e punës për nënstacionin ndërsa theksoi se investimi do të jetë një nyje e rëndësishme e rrjetit energjitik.

“Përse është kjo valë investimesh? Sepse siç e kemi theksuar, ligjshmëria në sektorin e energjisë elektrike, pagesat e faturave nga popullata, do tu kthehen në investime për të rritur cilësinë e furnizimit, për të ulur humbjet dhe vjedhjet. Sektori energjitik po i kthen mbrapsht vendit atë që i takon. Deri dje ka qenë sektori që konsumonte më shumë para nga Buxheti i Shtetit, sektori me humbjet më të mëdha dhe që kërcënonte më së shumti stabilitetin financiar. Tashmë, sektori energjitik po kthehet në kontribues dhe këtë po e thonë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore që insistojnë se reforma në energjitikë është në drejtimin e duhur dhe duhet të vazhdojë”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Administratori i OSHEE-së, Z. Adrian Çela sqaroi investimin që do të kryhet në nënstacionin e ri. “Do të zëvendësojë nënstacionin e vjetër të Uznovës që furnizon qytetin por edhe gjithë rajonin e Skraparit. Është një nënstacion i vjetër, është prodhim i vitit 1968. Ka problem me cilësinë e furnizimit, defekte pa fund dhe kapacitete të minimizuara për burimet e reja të energjisë. Për këto arsye ne po bëjmë këtë investim të ri, që kap vlerën e 257 milion lekë të reja. Investim që shkon jo vetëm për rritjen e cilësisë së furnizimit të abonentëve, por nga ana tjetër shtohet mundësia për burimet e reja të energjisë që janë në kaskadën e Osumit”, nënvizoi Z.Çela.

Ndërkaq, nënstacioni i ri i OSHEE-së do të shoqërohet me ndërtimin prej OST-së të linjës 110 kilovolt nga Uznova në Çorovodë me vlerë 450 milionë lekë të reja. “Do të rregullohet niveli i tensionit por njëkohësisht do të bëhet e mundur të rritet edhe aksesi i të gjithë prodhuesve të energjisë elektrike, pasi aksesi sot këtu është i kufizuar. Ka shumë prodhues këtu që nuk janë në nivelin e prodhimit nominal për shkak se kapacitetet janë të kufizuara për transmetimin e energjisë”, sqaroi administrator i OST-së, z.Engjëll Zeqo.

Në cilësinë e të zgjedhurit të kësaj zone, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço tha se Skrapari është kthyer në një kantier ndërtimi duke ju përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve për investime të reja.

Marrë sëbashku, ndërtimi i nënstacionit të ri nga OSHEE dhe linjës Uznovë-Çorovodë nga OST-ja e çojnë investimin total në vlerën e 700 milion lekësh të reja. Niveli total i humbjeve në rrjet në këtë zonë arrin në 33%, prej të cilave 14.38% janë teknike ndërsa pjesa tjetër jo teknike. Pas kryerjes së investimit parashikohet që humbjet teknike të zbresin në nivelin 7%. Investimi për nënstacionin e ri prek 10 mijë abonentë dhe do të përfundojë Janarin e vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat