Si po përjetohet referendumi grek në Tiranë

Shqipëria

Si po përjetohet referendumi grek në Tiranë

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 00:01

Ngjarja e parë e rëndësishme ishte takimi i guvernatorit Sejko me ambasadorin Rokanas. Ambasadori Rokanas i tha zotit Sejko se biznesi grek ka luajtur rol kryesor në ngjalljen e Shqipërisë dhe bankat greke në Shqipëri kanë qenë financueset më të mëdha të biznesit.


Zoti Sejko i pranoi vlerësimet e ambasadorit grek.


-Greqia gjithmonë i ka mësuar shqiptarët si të bëjnë biznes, i tha. Gjyshi im më thoshte gjithmonë se këta shqiptarët na kanë inat, se ne jemi më të zotë në biznes. Kur erdhëm ne kishim dhe flori me vete dhe iu futëm tregtisë. Po shqiptarët na morën inat. Pastaj erdhët ju me banka, u dhatë lekë dhe sikur u zbutën.


Por, të siguroj se unë do të bëj ç’është e mundur që t’i gjendem pranë vendit tim Greqisë.


-Më falni, i tha ambasadori, a po flas me guvernatorin e Shqipërisë?


-Po, i tha Sejkua, por çam nga Filati jam. Mezi e kam prit këtë ditë, që Greqia të kërkojë ndihmën time, se kam gjithë jetën që kërkojë ndihmë nga Greqia.


Nevoja për një Kongres Përmeti në Greqi


Gjithë adhuruesit e Cipras në Tiranë kanë rënë në hall si do të votojë populli grek. Po votoi pro Europës, u ikën Cipras, po votoi kundër Europës u ngelet Cipras, por nuk ikin borxhet. Propozimi i tyre është që Cipras të bëjë një kongres si Kongresi i Përmetit dhe të deklarojë që nuk njeh borxhet dhe koncesionet e qeverive të mëparshme greke dhe se do të vendosë pushtetin popullor në Greqi. Pas kësaj Varufakis do vrasë veten si Nako Spiro, ndërsa Cipras do qeverisë 45 vjet.


Nga buron siguria e Cac Angjelit


Cac Angjeli është financieri dhe profesori i ekonomisë më i vendosur që kriza greke nuk ka ndikim në Shqipëri. E thotë me aq bindje dhe aq siguri, sa po i lë pa mendje gjithë ekspertët e ekonomisë kombëtare e ndërkombëtare. Shumë prej tyre i nisin e sosin artikujt me fjalinë që në finale nuk i dihet çdo ndodhë. Caci e ka të sigurtë që nuk ndodh asgjë.


Më në fund të çuditur nga vendosmëria e tij, e pyetëm se nga i buron e gjithë kjo siguri.


-Rrini të qetë, tha, nuk ka asnjë ndikim. Ka 24 vjet që Greqia ça s’ka bërë ta bënte Shqipërinë si veten. Na ka angazhuar ne grekë e shqiptarë, ka blerë gjithë klasën politike, shtypin, biznesin, bankat dhe prapë se prapë, s’ia ka dalë. Kur nuk ka patur sukses për 24 vjet, nuk do ketë për 24 orë.


Vangjel Dule fajëson Cipras për humbjen


Mendoj që referendumi është zhvillim i duhur për momentin. Nga Athina më thanë se po nuk dole mirë me zgjedhjet lokale, s’ke më punë me ne. Tani që nuk kam dal mire, dihet. Më mori një nga Ministria e Jashtme e Athinës e më pyeti si shpjegohet që nuk të votuan.


-Po ç’të më votojnë, i thashë. Si e keni katandisur ju Greqinë, nuk vjen më njeri të më votojë këtu, se s’kanë lekë për autobusa. E vetmja ndihmë që mund t’u jap është t’ua nis këta pak që më votuan atje, që t’u ndihmojnë të dielën dhe ta mbyllim këtë muhabet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat