​Batutat e Ramës: Zbulova se taksistët kanë master në Juridik

Shqipëria

​Batutat e Ramës: Zbulova se taksistët kanë master në Juridik

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 18:13

Në konferencën e sotme për ligjin e Arsimit të Lartë kryeministri Edi Rama ka rrëfyer edhe një histori të tijën personale që lidhet me fushën e arsimit.

Për të sjellë pak humor por edhe për të treguar problemet që kanë ekzistuar deri më sot me lëshimin e diplomave master, Rama tha se ndonjëherë udhëton me taksi pas mesnate dhe kërkon prej tyre që t’i tregojnë për problemet.

Ai tha se ky është një zakon i tij për të mësuar prej taksistëve se çfarë ndodh realisht nëpër qytet, dhe veç të tjerave ajo çka ka konstatuar është se taksistët janë me diplomë master në Juridik, dhe e kanë pasur shumë të lehtë të diplomohen pa vajtur fare në shkollë.

Ai e solli këtë shembull për të nënkuptuar se me ligjin e ri të Arsimit të Lartë nuk do të tolerohen më 'shitje' diplomash.

Rama: U bënë vite që unë nuk gjej një taksist pa diplomë juridiku

"Ishim me drejtorin në Ministerialin e Rajonit dhe thashë se prej shumë kohësh, unë ruaj një zakon, që një herë në çdo st inë marr një taksi pasmesnate dhe i them taksistit fol tani dhe taksisti ecën. Kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar pulsin e vendit ku jeton. Asnjë raport i Bankës Botërore apo i OSBE-së nuk ta jep pamjen e vendit tënd, siç ta jep një taksist pasmesnatës, nëpër rrugët e Tiranës. U bënë vite që unë nuk gjej një taksist pa diplomë Juridiku. Dhe i tregova historinë e një taksisti që sapo kishte marrë masterin. Ata e dinë që unë nuk pranoj të më bëjnë xhiro falas, ndaj më tha ‘e ke nga unë sot, se jam bërë me master në juridik’. Ku e gjen kohën, e pyeta. ‘Nuk ka nevojë,’ - më tha, - ‘në mëngjes marr fëmijët e pronarit të universitetit i çoj në shkollë dhe një herë gruan për shopping’. Ky është sistemi që krijuam ne. Imagjinoni se ç’kërkim shkencor mund të ketë brenda këtij sistemi, të atillë që të mund t’i themi vetes se ne po financojmë kërkimin shkencor dhe me këto para, vërtet po bëhet shkencë në Shqipëri", tha kryeministri Rama./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat