Nishani: Terrorizmi po mbyt lirinë fetare

Shqipëria

Nishani: Terrorizmi po mbyt lirinë fetare

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 15:40

​Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka deklaruar se duhet të reagojmë me shpejtësi ndaj çdo zëri, individi apo shoqate që fut ndasi religjioze, ndaj çdokujt që predikon dhunë dhe absolutizëm, si dhe ndaj çdokujt që rekruton djem shqiptarë për vatrat e terrorit.

Nishani ka shtruar iftar në Pallatin e Brigadave, ku tha se janë mbledhur të gjithë së bashku në këtë darkë iftari në shenjë respekti të thellë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, të cilët me përkushtimin e tyre ndaj Zotit po e përcjellin Muajin e Madhërishëm të Ramazanit në paqe, harmoni e përshpirtje duke reflektuar dhe promovuar mesazhin që vjen prej tij.

“Shteti shqiptar është mik i besimeve, garantues i lirisë së tyre dhe i barazlarguar aq sa e kërkon Kushtetuta e një shteti laik, demokratik dhe evropian. Personalisht jam i bindur se interpretoj vullnetin e brendshëm të popullit tonë për respekt të ndërsjellë e harmoni duke hapur dyert e Institucionit që përfaqësoj. Të gjitha bashkësitë fetare shqiptare në vend të pranishme në këtë mjedis, si sonte, ashtu edhe në të ardhmen, sipas simbolikës dhe festave përkatëse, janë të ftuara e të mi rë se ardhura” , ka thënë Nishani.

Sipas një komunikate të Presidencës, Nishani ka thënë se tradita e islamit shqiptar është e shkëlqyer, ndihet krenarë për formën dhe përmbajtjen, që myslimanët e kanë gjetur ndër shekuj dhe kodin e admirueshëm të bashkëjetesës me Krishterimin, por vigjilenca ndaj çdo tentative dhe përpjekjeje që dëshiron të manipulojë imazhin e shqiptarëve është e domosdoshme.

“Ne duhet të reagojmë me shpejtësi ndaj çdokujt, çdo zëri, individi apo shoqate që fut ndasi religjioze, ndaj çdokujt që predikon dhunë dhe absolutizëm, ndaj çdokujt që propagandon shtet me natyrë fundamentaliste dhe rekruton djem shqiptarë për vatrat e terrorit. Ata cenojnë gjithçka kemi arritur në shekuj. Ata cenojnë të ardhmen dhe demokracinë, vetë kombin dhe ëndrrën tonë evropiane”, ka thënë Nishani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat