Vrasja e turistëve çekë, shqiptarët kërkojnë kthimin e dënimit me vdekje! (Foto)

Shqipëria

Vrasja e turistëve çekë, shqiptarët kërkojnë kthimin e dënimit me vdekje! (Foto)

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 12:39

Vrasja makabër e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Dukagjin, nga e cila humbën jetën dy turistë çekë, nxiti reagimin e ashpër të shoqërisë shqiptare për rikthimin e dënimit me vdekje.

Opinioni publik reagoi ndaj ekzekutimit të çiftit çek, i cili kishte zgjedhur Shqipërinë për të nisur pushimet verore. Për ta, kjo ngjarje është e papranueshme dhe autorët duhet të marrin dënimin maksimal. Kjo masakër, ka rikthyer në fokus debatin në shoqërinë shqiptare, nëse duhet aplikuar ose jo dënimi me vdekje.

Shumë prej tyre kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje, duke sjellë ndërmend dënimin e fundit me vdekje në Shqipëri, që ndodhi në vitin 1992, transmeton shekulli.

Dënimi i fundit me vdekje në Shqipëri

Në foto tregohet dënimi i fundit me vdekje i aplikuar në Shqipëri, me varje në mes të qytetit. Varja ndodhi tetë muaj pasi kishte ardhur demokracia, por legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.

Dy personat në foto janë vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit, që u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”. Ata vranë pesë persona, mes tyre një foshnjë 8 muajshe.

Ngjarja ndodhi më 29 maj të vitit 1992 në fshatin Libofshë, kur dy vëllezërit hynë në mesnatë në banesën e familjes Puto, me qëllim grabitjen e familjes.

Si pasojë ata vranë djalin e vogël të shtëpisë, së bashku me nusen e tij, vranë babanë, vranë edhe nënën pasi e torturuan për një orë dhe në fund e mbyllën duke vrarë mbesën 8 muajshe të familjes.

Ngjarja bëri bujë të madhe në Shqipërinë e asaj kohe, opinioni qytetar kërkoi dënim me vdekje për autorët. Pas një gjyqi prej 24 ditësh të dy vëllezërit u shpallën fajtor dhe u dënuan me vdekje, ekzekutim me varje në mes të qytetit.

Varja u bë në 25 qershor 1992, në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzish që erdhën dhe nga qytetet e tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat