Gjurmë të vëllezërve Aliko në armët e Lazaratit, zbulohet tjetër arsenal

Shqipëria

Gjurmë të vëllezërve Aliko në armët e Lazaratit, zbulohet tjetër arsenal

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 12:26

Në momentin kur policia gjen serinë e dytë të armëve në Lazarat, me të cilat mendohet se u qëllua RENEA, të dhënat paraprake të ekspertizës për armët e serisë së parë flasin për gjurmë gishtërinjsh të vëllezërve Aliko. Ndonëse armët e gjetura pak ditë më parë ishin të djegura pjesërisht, ekspertët e Laboratorit Shkencor kanë mundur të identifikojnë paraprakisht disa shenja gishtërinjsh, të cilat janë krahasuar me ato të vëllezërve Aliko, Arbionit dhe Albanit. Për shkak se ata ishin në kërkim edhe para ngjarjes së rëndë, ku u vra inspektor Ibrahim Basha, shenjat e tyre të gishtërinjve disponoheshin nga ekspertët dhe analiza laboratorike nisi që më 28 qershor. Lajmin e kanë konfirmuar për gazetën “Shqip” burime pranë Policisë së Shtetit, të cilat shtojnë gjithashtu se në javën e ardhshme pritet që të përfundojë një pjesë e ekspertizës për t’iu vënë më pas në dispozicion ekspertëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që po udhëheqin hetimet për sulmin ndaj RENEA-s. Nga ana tjetër, po dje janë gjetur të tjera armë në një pusetë pranë shkollës së mesme të Lazaratit, të cilat gjithashtu u dërguan për ekspertizë. Më tej, mësohet se nga analiza e deritanishme rezulton se Basha është vrarë me një plumb tejshpues, të kalibrit të madh, teksa predha ende nuk është gjetur.

Gjurmët e Alikove

I pari që ndihmoi specialistët në hetime ishte 17-vjeçari Xhulio M., i cili tha se grupi që sulmoi policinë më 24 qershor dhe vrau Bashën, kishte blerë armatim të rëndë, ku mes tyre kishte snajperë. Dëshmia e tij ishte thelbësore për të zgjeruar aksionin dhe për të piketuar të dyshuarit e parë. Prokuroria përcaktoi pak orë më vonë se vëllezërit Aliko ishin liderët e grupit dhe se ata qëlluan me armë, duke vrarë Ibrahim Bashën. Më tej, ishte Klodian Selimi, njëri nga grupi i zjarrit, i cili ndihmoi specialistët për të identifikuar vendndodhjen e armatimit, që u sekuestrua më 28 qershor. Policia sekuestroi disa armë, gjysmë të djegura. Nga këto armë, pas ekspertizës balistike në Laboratorin Kriminalistik, kanë dalë disa rezultate paraprake, të cilat sipas burimeve të policisë të çojnë tek Alikot. Ndonëse të djegura në disa pjesë, specialistët kanë mundur të gjejnë gjurmë gishtërinjsh në vendet që nuk janë përfshirë nga flakët. Ndërkaq, mësohet gjithashtu se janë gjetur edhe gjurmë gishtërinjsh të disa prej personave të tjerë, të grupit të zjarrit, të cilët janë në pranga.

Armët në pusetë

Kur kanë kaluar 10 ditë pas sulmit me armë ndaj forcave të policisë në Lazarat, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave RENEA, Ibrahim Basha, Policia e Shtetit ka zbuluar vendin se ku ishin fshehur armët me të cilat u krye ky sulm. Nga policia u njoftua zyrtarisht se “në afërsi të shkollës së mesme, rreth 50 metra larg vendit nga u sulmua policia, në një pusetë uji, është evidentuar arsenali i armëve. Brenda pusetës janë evidentuar armë të rënda e të lehta, si dhe municione luftarake”. Ndërkaq, mësohet se bëhet fjalë për një arsenal të madh armësh dhe municionesh, duke nisur që nga automatikët AK47, mitralozat e rëndë, predha, granatahedhës e një sasi e madhe municioni me të cilin mund të vijonte një përballje mes grupit të armatosur dhe policisë për ditë të tëra.

Mungon predha

Teksa këto armë u dërguan në Laboratorin e Policisë Kriminale për të provuar nëse kanë qenë pikërisht këto armë me të cilat është qëlluar orët e para të datës 24 qershor dhe cila prej tyre është arma që i ka marrë jetën efektivit Ibrahim Basha, nga burimet e policisë mësohet se predha që përshkroi në kokë Bashën ende nuk është gjetur. “Është vrarë me një plumb tejshpues në mes të vetullave. Plumbi ka qenë i kalibrit të madh, por nuk përcaktohet dot kalibri, pasi predha ende nuk është gjetur”, thanë burimet e policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat