Si zgjidhet kriza e TVSH-së?

Shqipëria

Si zgjidhet kriza e TVSH-së?

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 10:20

Ndërkohë që Parlamenti të enjten po i hapte rrugën realizimit të projektit të dixhitalizimit të TVSH, Këshilli Drejtues i këtij institucioni, dështoi për të tretën herë radhazi që të zgjidhte drejtorin e ri të përgjithshëm. Sipas ligjit për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë, i cili po aplikohet për herë të parë që nga miratimi në 2013, zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të TVSH kërkon shumicën e cilësuar të votave të anëtarëve të Këshillit. Që do të thotë se nga 10 anëtarë dhe kryetari i këshillit, një prej 20 kandidaturave të paraqitura, duhet të marrë 2/3 ose të paktën 7 vota. Posti i kreut të RTSH është vakant prej një viti, pasi ish-drejtori Petrit Beci dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Ne tri votimet e para, dy prej kandidaturave kanë marrë secili dy herë nga 5 vota dhe në një rast, 6 vota. Ndërsa një kandidature e trete, ka marrë vetëm 1 votë në një rast. Ajo që ka lëvizur në të tri rastet, ka qenë vota e njërit prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të TVSH i cili u zgjodh nga Parlamenti me mbështetjen e LSI. Në të tria rastet, votat e anëtarëve dhe kryetarit të zgjedhur nga Parlamenti me mbështetjen e PS ose PD nuk kanë lëvizur. Ato janë dhënë bllok vetëm për njërin ose tjetrin kandidat.

Ligji 97/2013 për mediat audiovizive është miratuar me konsensusin e plotë të mazhorancës dhe opozitës së asaj kohë, me asistencën e ndërkombëtarëve. Me qëllimin e mirë që për një çështje kaq shumë të ndjeshme për demokracinë si media dhe aq shumë të rëndësishme për qytetarët e republikës si pronarët e vërtetë të operatorit të vetëm publik në Shqipëri (TVSH) vendimet të merren me konsensus. Përsa i përket Parlamentit, ky konsensus kërkohej edhe në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe kryetarit të tij. Siç ka qenë publike, ky proces zgjati gati 18 muaj, për shkak të mungesës së vullnetit të përfaqësuesve të opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për t’u bërë pjesë e zgjidhjes konsensuale. Mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe filozofia e bllokimit, duket se është përcjellë nga opozita, edhe tek të zgjedhurit me mbështetjen e saj, si anëtare në Këshillin e ri Drejtues të TVSH.

Ligji për mediat audiovizive, është pothuajse i vetmi ligj që nuk mund të gjejë dot zbatim pa konsensusin e plotë, pa dashjen dhe dakordësine e mazhorancës dhe opozitës. Si një mundësi, për të përafruar nëpërmjet ligjit të dyja palët politike në Shqipëri, në mënyrë që të kapërcejnë interesat e ngushta partiake dhe humoret e politikës së ditës, në të mirë të gjetjes së zgjidhjeve konsensuale, për interesin madhor të qytetarëve shqiptarë. E mishëruar kjo, në vendimmarrjet e rëndësishme për radio televizionin e vetëm ku pronar duhet të jetë edhe de facto, publiku shqiptar. Bllokimi për tri vjet me radhë i procesit të zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të Këshillit të ri Drejtues të TVSH dhe tashmë mungesa e vullnetit dhe dëshirës për zgjedhjen me konsensus të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të TVSH tregon se klasa politike shqiptare, edhe pas çerek shekulli nga rrëzimi i Murit të Berlinit, nuk është ende gati që të gjejë, japë ose ofrojë zgjidhje konsensuale mes palëve. Kuptohet për rastet ku interesi publik prevalon mbi çdo interes tjetër politik apo partiak.

Në kushtet kur TVSH është i vetmi operator publik raioteleviziv në Evropë që nuk e ka realizuar kalimin e transmetimeve nga analoge në numerike (dixhitale).

Në emergjencën që TVSH ka për zgjidhjen e krizës së drejtimit në të cilin ndodhet institucioni.

Në nevojën ekstreme që publiku shqiptar ka për të mare nga TVSH , programe dhe produkte të tjera radiotelevizive me cilësi, profesionalizëm dhe pa pagesë; gjykoj se mazhoranca në përfundim të gjysmës se mandatit të saj të parë qeverisës, është në limitet e fundit kohore për t’i dhënë zgjidhje krizës së drejtimit dhe menaxhimit të TVSH. Kjo mazhorancë është votuar nga shqiptarët për të bërë reforma dhe jo për t’u marrë peng nga opozita, qofte kjo edhe nëpërmjet ligjeve konsensuale apo bordeve që operojnë me rregulla konsensuale. Kjo mazhorancë ka treguar me shembuj e prova konkrete që di t’i realizoje të gjitha sfidat që ka marrë përsipër, qoftë edhe me koston e riskut të pushtetit të saj, për të bërë reforma të thella të shtet formimit modern.

Ndaj, nëse Këshilli Drejtues i RTSH nuk do arrijë as herën e katërt që të prodhojë konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të këtij institucioni, (ligji aktual nuk përcakton asnjë kufi limit votimesh, duke lëne hapur derën për prodhimin e një krize të re në drejtimin e institucionit) do t’i propozoj Parlamentit, së bashku me një grup kolegesh deputetë të PS, ndryshimin e ligjit për mediat audiovizive. Duke futur në procedurën e zgjedhjes së drejtorit të ri të TVSH, procedurën që ndiqet në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Sipas së cilës, nëse në tri herët e para dështon zgjedhja e drejtorit të ri të përgjithshëm të TVSH me 2/3 e votave, në votimin e 4 dhe te 5 zgjedhja të bëhet me shumicën e thjeshtë të votave të Këshillit. Nëse edhe pas kësaj drejtori nuk zgjidhet, atëherë Këshilli shpërndahet.

Kjo sepse drejtori i TVSH, nuk mund të jetë një person me i rëndësishëm se Presidenti i Republikës. Dhe Këshilli drejtues, nuk mund të jetë më i rëndësishëm se vetë Parlamenti që e ka zgjedhur. Ligji aktual është konsensual dhe detyron zgjedhjen e një drejtori konsensual të TVSH në kushtet kur konsensusi është qëllimi, fryma dhe zgjidhja. Por jo në kushtet kur konsensusit, tentohet të shfrytëzohet si shtegu që të çon tek instalimi i diktaturës bllokuese të minorancës. Ndaj amendimi qe do i propozohet Parlamentit për zgjedhjen e drejtorit te ri të përgjithshëm të TVSHv, nuk mund të bëhet me këshillin aktual, i cili rezultoi i paefektshëm për te gjetur konsensusin e aq shumë dëshiruar nga ligji dhe nga pronari i vërtetë i TVSH, publiku shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat