“Një grua myslimane u vra, pasi kishte hequr vellon”

Shqipëria

“Një grua myslimane u vra, pasi kishte hequr vellon”

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 10:04

Shtypi italian i ka kushtuar një vëmendje të veçantë arrestimit të dy familjeve shqiptaro-italiane, nën akuzën e terrorizmit. Së fundmi janë publikuar dëshmi të reja mbi jetën e familjes shqiptare në Itali. Një vullnetare italiane e Karitasit, e cila ndihmonte në rritjen e dy fëmijëve të Arta Kacabunit, shqiptares 41-vjeçare, tezja e muhaxhedinit Aldo Kobuzi në Siri, e arrestuar në Itali me akuzën e terrorizmit ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Martesa”, ka përcjellë në media detaje nga jeta e shqiptares së arrestuar.

“Arta deri në fund të gushtit të 2013, ishte një grua normale, i pëlqente të bënte tualet, madje hante dhe salsiçen e derrit të ndaluar nga Kurani”, ka thënë ajo. Por një vizitë në Shqipëri e transformoi atë dhe ajo u kthye në Itali e mbuluar kokë e këmbë. Sipas saj, e motra Donika Çoku e kishte bindur të përdorte veshjet myslimane. Madje e motra nuk e lejonte të punonte as në vreshtat e të mblidhte rrushin, pasi me të bëhej verë e konsiderohej mëkat nga Kurani.

Donika Çoku, e motra e Arta Kacabunit dhe Baki Çokut, 37-vjeçarit të arrestuar në Shqipëri, ndodhet në Siri së bashku me djalin e saj, Aldo Kobuzin, e bashkëshorten e tij Fatima az-Zahra (Maria Giullia Sergio). Gjithashtu, së bashku me Donikën, në Siri ndodhet edhe vajza e saj, Seriola Kobuzi, me fëmijën e lindur nga martesa me Maringlen Dervishllarin, pogradecarin e vrarë pak muaj më parë në luftime. Sipas vullnetares italiane, Arta Kacabuni fliste shpesh me motrën e saj Donikën, e cila punonte e ndjehej mjaft mirë në Siri. Madje Arta Kacabuni komunikonte pothuajse çdo ditë dhe me familjen e italianes Fatima az Zahra (Maria Giulia Sergio).

Sipas saj, Arta Kacabuni i detyronte fëmijët e vegjël të luteshin pesë herë në ditë e të respektonin Ramazanin. “Tre ditë para se të arrestohej, Arta më thotë se duhet të ndryshoj emrat në fëmijëve në emra të vërtetë mysliman. Përballë mendimit tim kundër, ajo replikon se këtë gjë ia kishte kërkuar e motra në Siri e se donte që emrat e nipërve të saj të ishin emra të vërtetë myslimanë”, ka thënë ajo. “Aldo Kobuzin e kam takuar disa herë në shtëpinë e Artës. Ishte gjithmonë i lidhur në internet me sitet radikale islamike. Një ditë më tregoi se një grua myslimane kishte vdekur, pasi kishte hequr vellon. Allahu mori hak, duke e zhdukur”, ka vijuar më tej ajo.

Vullnetarja tregon edhe për njohjen me Fatima az Zahra, të cilën e ka takuar në shtëpinë e Artës. “Shkolla sapo kishte nisur e duhet të ishte fillimi i muajit shtator, më 2014. Ma prezantuan si bashkëshorten e Aldos. Në shtëpi nuk mbulohej, i kujtoj flokët e saj ngjyrë gështenjë. Më pyeti nëse isha e krishterë e shtoi se dhe ajo ishte dikur, por kishte përqafuar fenë islame si një besim fetar më i pastër”, ka thënë ajo. Pak ditë më vonë, më 21 shtator të 2014, Aldo Kobuzi, së bashku me Fatime az Zahra u larguan nga Italia drejt Turqisë e më pas në Siri, në mbështetje të Shtetit Islamik (ISIS).

Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim dhe një çift shqiptarësh, si të përfshirë në celulën terroriste që u zbulua nga krushqia mes dy familjeve shqiptare dhe italiane, përmes operacionit “Martesa”. Nën hetim është çifti shqiptar Dritan Gjecaj e Ljubjana Gjecaj, rezidentë në Bergamo. Materiali hetimor vërteton se çifti Gjecaj, jo vetëm u ka ofruar shtëpinë si bazë qëndrimi çiftit të ri, por dhe ka paguar biletat e tyre të avionit për të udhëtuar nga aeroporti i Fiumiçinos në Romë drejt Turqisë e më pas në Siri. Apartamenti i Ljubjana e Dritan Gjecaj është kontrolluar imtësisht nga policia italiane. Çifti Ljubjana e Dritan Gjecaj nuk janë të arrestuar, por janë persona nën hetim për favorizim në organizim terrorist.

Sot pritet të nisë procesi i marrjes në pyetje për katër personat e arrestuar në Itali, pjesëtarë të celulës terroriste italo-shqiptare. Përballë hetuesit të çështjes Ambroxhio Moçia në ambientet e burgut Bollate të qytetit të Milanos do të ulet shqiptarja 41-vjeçare Arta Kacabuni, tezja e Aldo Kobuzit. Ndërsa marrja në pyetje për familjarët e Maria Giulia Sergio (Fatima az Zahra), bashkëshortes së Aldo Kobuzit, Sergio Sergio 61 vjeç, babai i Maria Giulia Sergio; Assunta Buonfiglio 60 vjeç, nëna e Maria Giulia Sergio dhe Marianna Sergio 30 vjeç, motra e saj, do të kryhen në ambientet e burgut San Vittorio, po në qytetin e Milanos.

Gjithashtu, organi i akuzës në Itali bën publik faktin se është aktivizuar procedura e ekstradimit drejt Italisë për Baki Çokun, 37 vjeç, daja i Aldo Kobuzit, arrestuar në Shqipëri. Autoritetet italiane po koordinojnë hetimet në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës dhe forcat e policisë së disa vendeve. Në dosjen hetimore i kushtohet vëmendje të veçantë tre personave, të konsideruar mjaft të rrezikshëm e që kanë influencuar në aktivitetin e celulës terroriste italo-shqiptare. Ata janë: emiri Ahmed Abu Alharith, koordinuesi i mbërritjes së luftëtarëve të huaj në Siri, Abu Sauarin, përgjegjës i luftëtarëve francezë që mbërrijnë në territorin islamik, si dhe një nënshtetas libian, Bassiouni Abdallah, koordinues i nisjes së luftëtarëve të xhihadit nga Libia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat