Duka: Vangjush Dako ia bleu votat Gridës

Shqipëria

Duka: Vangjush Dako ia bleu votat Gridës

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 08:25

Deputeti i Partisë Republikane, Agron Duka, është shprehur se në shtator do të jetë prezent në analizën që do të bëjë e djathta për humbjen e zgjedhjeve vendore. “Patjetër që do të jem prezent dhe do të shpreh edhe unë qëndrimin tim, të cilin e kam shprehur në media disa ditë pas humbjes së zgjedhjeve”, tha Duka për “Shekullin”.

Ai tha se ka ndjekur debatet brenda së djathtës dhe pret që në analizën që do të bëjë e djathta në vjeshtë do të flasë për arsyet e humbjes në zgjedhje dhe do të nxirren konkluzionet. Deputeti republikan i qarkut të Durrësit, shprehet se do të prezantojë para demokratëve panoramën që ofruan zgjedhjet në Durrës. Rezultatin e thellë të së majtës, Duka e lidh me blerjen masive të votave.

“Do të bëjë publike para deputetëve demokrat se si është blerë vota dhe se si janë fituar zgjedhjet me presion për pushim nga puna. Kësaj armate të blerjes së votave nuk kishte shans t’i bënte ballë askush. Për të nxjerrë fitues Vangjush Dakon, ai me mbështetjen e qeverisë kanë përdorur të gjithë mënyrat e mundshme për të tjetërsuar vullnetin e votuesit. Me këtë proces që ka ndodhur tani, dëshmohet fakti se nuk ka më zgjedhje”, tha Duka. Sipas tij, PD nuk kishte defekte gjatë funksionimit dhe Duma bëri një fushatë të shkëlqyer.

“Por të fitojë Vangjush Dako, megjithë ato dëme që i ka shkaktuar Durrësit, kjo është çudia më e madhe që ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk do kishte asnjë efekt përballje kësaj blerjeje masive në çdo krah. Me se t’i motivonte njerëzit Grida, kur tjetri përballë blinte gjithçka”, ka thënë Duka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat