Maturantët, hapat për të mos humbur universitetin

Shqipëria

Maturantët, hapat për të mos humbur universitetin

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 08:04

Të gjithë maturantët janë njohur dje me notat e provimeve me zgjedhje dhe tashmë ata janë njohur me pikët e plota që kanë grumbulluar. Nëpërmjet formulës që është vendosur për llogaritjen e pikëve dhe me nivelin që ata kanë arritur, hapi i radhës tashmë do të jetë plotësimi i formularit A2 javën e ardhshme, ku do të vendosen në rend numerik 10 degë të universiteteve. Ndonëse, gjatë viteve të kaluara ky formular është plotësuar para provimeve dhe të gjithë kandidatët duhet të arrinin objektivat për të fituar universitetin, tashmë ata do të vendosin për të ardhmen e tyre, por kjo nuk do të thotë se preferenca që ata vendosin i bën fitues.

Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve këshillojnë maturantët të orientohen me tabelën që tregon pikët e fituesve të fundit për të gjitha degët, ndonëse të dhënat e këtij viti flasin për një rritje prej 2 për qind të rezultateve, krahasuar me një vit më parë. “Preferenca e parë, e dytë dhe e tretë mund të tolerohen që të jenë më poshtë me pikët e fituesit të fundit të vitit të shkuar, me shpresën se do të ulen pikët. Dhe mendohet që do të ketë një rritje të lehtë për shkak të forcimit të kontrollit gjatë administrimit të provimeve rritjes minimale prej 2 për qind. Sepse, nëse një kandidat e ka të rreshtuar një program studimi të dhjetin në preferencë dhe dikush ka të parin, por ai që e ka të fundit ka 0,1 pikë më shumë se ai që e ka preferencë të parë, e fiton ai që e ka preferencë të 10, jo maturanti tjetër”, sqaron AKP.

Rezultatet

Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, menjëherë pas publikimit të rezultateve ka bërë dhe një analizë krahasuese për provimet e këtij viti dhe ato të një viti më parë. Sipas saj, trendi i rritjes së rezultateve pozitive tregon se ka ende punë për të bërë në sistemin e arsimit. “Si provimi i Anglishtes, ashtu edhe provimi i Gjuhë-Letërsisë, Matematikës dhe lëndëve me zgjedhje, pothuajse kanë pasur një trend pozitiv. Për shembull, po të shikojmë në provimin e Gjuhës së Huaj, rezultatet kanë qenë afër nivelit shumë të lartë, mbi 90 për qind të pritshmërisë që maturantet kanë pasur.

Ndërsa, kalueshmëria ka qenë mbi 98 për qind. Kjo do të thotë që rezultatet e maturantëve në raport me dijet që kanë marrë gjatë vitit dhe provimet e Maturës Shtetërore, kanë qenë rezultati i pritur nga objektivat e përcaktuara nga mësuesit nëpër shkolla”, tha Malaj. Sa i përket rezultateve më të mira, në kuadër të shtrirjes gjeografike, Malaj shpjegoi se qytetet më të mëdha janë ato që kanë pasur edhe rezultatet më të mira, ku sërish ka kryesuar Tirana si qark.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat